Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Londër! Samit për investimet dhe projektet rajonale

Mbahet këtë të hënë (26 shkurt) Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024. Në aktivitetin që do të mbahet në selinë e BERZH-it në Londër, do të marrin pjesë vendet e rajonit.

Në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor për vitin 2024, presidenti i BERZH-it Odile Renaud-Basso dhe liderët e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë  do të prezantojnë vizionin e tyre për projektet kyçe rajonale dhe mundësitë e investimeve si në nivel rajonal ashtu edhe në secilin shtet.

Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare.

Ky është samiti i gjashtë i këtij lloji. Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH-in, i cili mbetet një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në vendet e rajonit, me më shumë se 18 miliardë euro të investuara deri më sot.

Pika kryesore të samitit do të jetë edhe “Sesioni i Kryeministrave”, ku liderët rajonalë dhe presidenti i BERZH-it do t’i drejtohen audiencës me vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin, projektet kyçe rajonale dhe mundësitë për investime në nivel rajonal dhe në secilin të vendeve të rajonit, ku përfshihen Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Në fokus të takimit do të jetë edhe diskutimi për temën “Energjia e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor”.

Samiti për investimet në Ballkanin Perëndimor u zhvillua për herë të parë nga BERZH në 2014 dhe mblodhi të gjithë kryeministrat e rajonit.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com