Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka fajësuar kryeministrin Edi Rama se me qëndrimin vazhdimisht përbuzës ndaj opozitës po ushqen situatat e tensionuara në parlament.
Edhe seanca plenare e së hënës nisi me përplasje fizike mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
“Tashmë në Shqipëri, anormalja është kthyer në normale dhe anasjelltas. Nuk më vjen mirë që shikojmë përplasje të tilla. Kjo vjen si rezultat i mungesës së tolerancës. Kur nuk funksion logjika nganjëherë funksionon edhe logjika e forcës,” tha znj. Kryemadhi.
Ish-kryetarja e Partisë së Lirisë shtoi se e mbështet opozitën në aksionet e saj, ndërsa e quajti të paramenduar hetimin e nisur ndaj kolegut të saj deputet, ish-kryeministrit Sali Berisha, i akuzuar nga SPAK-u për korrupsion në lidhje me privatizimin e kompleksit Partizani, bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
“Kam pasur shumë fletëthirrje nga SPAK-u, që kanë lidhje me denoncimet për incineratorët e Elbasanit dhe Fierit. S’kam problem të shkoj sërish. Edhe për operacionet plastike pres të më thërrasë, jam në pritje.
Për mua, Arbër Malltezi është i burgosur politik. Sali Berisha është një i përndjekur politik. Ju e njihni [Silvio] Berluskonin. Ka pasur 475 çështje por nuk ia kanë hequr pasaportën. Ajo që unë theksoj është që loja politike që përdoret për mua është shumë e shëmtuar dhe krijon terror. Janë 16 pronarë dhe pse duhet të arrestohet njëri dhe jo të 16 me logjikë?! Këtu është problemi i mosfunksionimit të shtetit. Mua nuk më shqetëson SPAK-u,” u shpreh znj. Kryemadhi.