Kronologjia e plotë: Meta ndahet nga Monika, por SPAK-u s’i ndahet Metës

Ish-Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për shtyp e cilësoi ndarjen me Monika Kryemadhin si të pashmangshme, paçka kostos së madhe që mbart ky divorc ku në mes janë tre fëmijët.

Ai theksoi se konflikti midis tyre nisi me djegien e mandateve të LSI-së, një akt që thelloi ndarjet dhe shkaktoi përplasje të papajtueshme e cila “kurorëzohet” tashmë me divorcin mes çiftit pas 25 viteve martesë.  

Ndarja e Ilir Metës me Monika Kryemadhin tingëllon si një tragjedi komedi. Pasi Meta tha se paratë i menaxhonte gruaja e tij, ndërsa ai po bën politikë, tani tha se krisja ka filluar me djegien e mandateve, duke mos e kuptuar më rolin që kanë tek njeri-tjetri.

Pas pesë viteve nga djegia e mandateve, ciftit Meta-Kryemadhi do të përballen me gjykatat dhe me ndarjen e pasurisë. Gjithë kjo tragjedi komedi nuk dihet se ku do e ketë fundin, se fillimi nisi pasi SPAK filloi të hetonte ata.

Ndonëse Meta shprehet se “krisja e fortë” që i dha goditjen dhe mendoi divorcin ishte djegia e 19 mandateve të deputetëve të LSI-së në shkurt të vitit 2019, pas një vendimi politik të saj me ish-kreun e PD-së Lulzim Basha. Por kur ka kaluar më shumë se pesë vite nga kjo “krisje e pariparueshme” dhe Meta vendos të divorcohet nga bashkëshortja. Pavarësisht se publikisht Meta shprehet se mandatet e djegura në një lloj mënyre dogjën edhe jetën bashkëshortore, janë disa tregues të tjerë që mendohet se i çoi drejt divorcit.

Tashmë Prokuroria Speciale SPAK ka nën hetim Metën dhe Kryemadhin për fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Mendohet se është pikërisht SPAK që “ndau” çiftin Meta-Kryemadhi, pasi tashmë nuk është në lojë vetëm jeta aktive politike e të dyve, por edhe pasuria dhe mbi të gjitha përgjegjësia penale.

 Konferenca

Ish-Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për shtyp të mbajtur dje ka folur hapur për ndarjen e tij me Monika Kryemadhin dhe për momentet që çuan në këtë ndarje. Meta shprehu se konflikti midis tyre filloi me djegien e mandateve të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), një veprim që ai e cilësoi si “tragjikomik”.

“Ishte një shfaqje tragjikomike politike”, tha Meta, duke përshkruar djegien e mandateve si një akt që thelloi ndarjet brenda partisë dhe çoi në përplasje të papajtueshme me Kryemadhin. “Jeni njohur me vendimin tim për divorcin. Ky vendim ka qenë më i vështiri në jetën time por është objektiv. Nuk është as i rastësishëm e as i çastit. Është i motivuar nga ndarje të papajtueshme që lidhen me kauzat e mëdha që unë mbroj dhe që janë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendi i saj, si kryetare e LSI për djegien e 19 mandateve, që u morën me shumë sakrifica dhe me gjak, në një betejë të madhe në koalicionin anti-Meta dhe anti-LSI të 17 majit, të prindit 1 dhe të prindit 2. Qëndrimet e vazhdueshme të saj krejtësisht në kah të kundërt të kauzave që unë mbroj dhe që krijojnë konfuzion dhe paqartësi në publikun e gjerë duhej të merrnin fund, dhe vendimi im i jep fund çdo paqartësie, dileme dhe stresi sistematik të panevojshëm…”, tha Meta.

Ai argumentoi se ky veprim nuk vetëm që nuk arriti të realizojë objektivat e pretenduara, por përkundrazi, dëmtoi rëndë kauzat për të cilat ai dhe LSI-ja kishin punuar. Meta shtoi se ky episod nxori në pah mungesën e kohezionit dhe strategjisë brenda LSI-së, duke theksuar se nuk kishte mënyrë të shpëtohej nga një konflikt që u bë gjithnjë e më i ashpër dhe publik.

“Kjo krizë ishte fillimi i fundit për një partneritet politik që tashmë ishte në telashe”, deklaroi Presidenti i Partisë së Lirisë. Kreu i PL-së tha se mirëkupton “çdo reagim emocional”, por shtoi se përgjegjësitë e tij publike janë tepër të gjëra. “Detyrimet e mia lidhen me kontributin dhe sakrificën e qindra mijëra njerëzve që kanë besuar te Ilir Meta. Vendimet e mia duhet t’u shërbejnë gjithmonë përmbushjes së kauzave të mëdha…E mora këtë vendim për t’i shkuar deri në fund betejës sime me mafien.”, tha ai.

Reagimi i Monikës

Nga na tjetër, vetë Monika Kryemadhi, e kontaktuar nga Zëri i Amerikës është shprehur se nuk preferonte për momentin të komentonte vendimin e bashkëshortit të saj dhe se më parë donte të mësonte arsyet që e kishin çuar Metën në kërkesën për divorc. Por para dy muajve Kryemadhi tha se janë krisur marrëdhëniet. “Megjithatë largimi nga njëri-tjetri ishte paralajmëruar edhe më herët gjatë këtyre kohëve, pasi ka qenë Monika Kryemadhi e cila në muajin prill do shprehej se ka një raport të ngrirë me Metën për të shkak të konfliktit në parti.

Por në atë kohë ajo shtonte se konfliktet mes tyre kanë qenë vetëm politike. “Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti se sigurisht që brenda familjes tonë, familjes së vogël, ka ndërhyrë njerëz të cilët mendojnë që duke shkatërruar pozicionimet apo lidhjet familjare do të kenë karrierë politike.

Mendoj që nuk është hera e parë që unë dhe Ilir Meta kemi këto konflikte. Ne nuk kemi këto konflikte parimore, morale midis njëri-tjetrit. Konfliktet tona janë vetëm konflikte politike. Patjetër që reflektohen sepse në qoftë se ne jemi dy njerëz të cilët punojmë nga mëngjesi deri në darkë në politikë, sigurisht që marrëdhënia është e përditshme edhe në familje.

Ajo që mua më bën përshtypje dhe që e them gjithmonë, është që njeriu sa të rrojë do të mësojë. Mendjelehtësia më e madhe si te burrat, edhe te gratë qëndron kur mendojnë që lumturinë e tyre dhe pushtetin e tyre mund ta ndërtojnë duke rrënuar lumturinë dhe familjen e dikujt tjetër, por kjo nuk ndodh. Pse nuk ndodh? Nuk ndodh sepse marrëdhënia morale është shumë më e rëndësishme se marrëdhënia financiare”, tha Kryemadhi në një studio televizive.

 Divorc për një femër?

Megjithëse në korridoret e Partisë së Lirisë qarkullojnë fjalë se rreth Metës po sillen femra të cilat duan të bëjnë karrierë, Meta këto i ka hedhur poshtë. Ai tha se nuk po ndahet me Monikën për një grua tjetër. Vendimet e mia i shërbejnë përmbushjes së kauzave të mëdha, ky vendim nuk lidhet me raportin me të si grua dhe nënë e 3 fëmijëve tanë. Nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër, por për të përmbushur kauzat. U kërkoj ndjesë 3 fëmijëve të mi të mrekullueshëm për shqetësime. I kërkoj ndjesë prindërve të mi dhe të afërme më kanë edukuar me ndjenjën e detyrës.

E mora këtë vendim për të shkuar deri në fund betejës me mafien, e cila pengmarrjen dhe shantazhin e ka natyrën më të egër dhe të ndyrë. Mafia ka dhunuar jo vetëm kushtetutën por edhe normat tona zakonore”, tha Meta. Ndërkohë, Meta ka bërë thirrje për një rishikim të thellë të qasjes së partive politike në vend, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie dhe fokus në çështjet reale që prekin qytetarët shqiptarë. Ai ka theksuar se situata aktuale kërkon një angazhim të ri dhe një përpjekje të përbashkët për të kapërcyer ndarjet dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe të drejtë për Shqipërinë.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com