Nga Blendi Kajsiu
Partia Socialiste sot, si një projekt elitist dhe modernizues, përballet me një krizë legjitimiteti që buron nga hendeku në rritje mes artikulimit dhe realitetit të qeverisjes së saj. Së pari, pretendimi i saj se e ka zhvilluar dhe modernizuar Shqipërinë si kurrë më parë kërcet me realitetin ekonomik të shumicës së shqiptarëve për të cilët zhvillimi dhe modernizimi socialist përjetohet si pamundësi për të përballur një jetesë dinjitoze. Së dyti, artikulimi i PS-së si një elitë e aftë qeverisëse kërcet përballë realitetit të një qeverie gjithnjë e më anonime, me një administratë publike klienteliste, e përfshirë në një sërë skandalesh korruptive, ndërkohë që procesi i rigjenerimit të elitave në PS është bllokuar. Pa përmendur mjerimin arsimor, akademik, kulturor dhe intelektual në të cilin ndodhet Shqipëria sot, që ka stimuluar edhe largimin masiv të trurit.
Ndonëse qeverisja socialiste ka një sërë arritjesh të padiskutueshme, që nga e-Albania deri tek kontrolli i territorit, infrastruktura dhe rilindja urbane, zhvillimi dhe modernizimi socialist ka prodhuar përfitime shumë të mëdha për shtresat më të pasura ndërkohë që për shumicën e qytetarëve të mesëm e poshtë është përkthyer kryesisht në rritje të kostos së jetesës. Është pikërisht kjo kosto e lartë jetese që shpjegon emigrimin në masë të shqiptarëve, sidomos në qytete si Kukësi (shiko: https://www.ucl.ac.uk/news/2023/jun/opinion-albanias-brain-drain-why-so-many-young-people-are-leaving-and-how-get-them-stay).
Modernizimi i Tiranës me kullat e saj të shëndritëshme, tërheqja e turistëve dhe investuesve të huaj në tregun imobiliar shqiptar natyrisht që është një dëshmi e qartë e zhvillimit të vendit. Ama për shumicën e shqiptarëve ky zhvillim prodhon rritje të çmimit të apartamenteve, dhe të inflacionit në përgjithësi duke e bërë jetën më të papërballueshme. Ndërkohë që shumë prej punëve që ofron turizmi janë shpesh sezonale dhe me pagesa të ulëta, që nuk mundësojnë një jetesë dinjitoze, sidomos përballë rritjes së çmimeve.
Kjo do të thotë se duhet stimuluar një modernizim dhe turizëm gjithë-përfshirës në mënyrë që përfitimet të shpërndahen sa më gjerë në shoqëri dhe jo vetëm tek një grusht i vogël investuesish të mëdhenj. Investuesit e mëdhenj strategjik që qeveria i ka aq për zemër zhvillojnë një turizëm elitar që përfitimet i përqëndron në pak duar dhe jo tek komuniteti në përgjithësi.
Në botë ka plot shembuj rezortesh spektakolare të rrethuar nga mjerimi dhe varfëria, sepse popullata lokale punësohet aty thjesht në rolin e pastruesve, kamarierëve dhe guzhinierëve, pa përfitur direkt nga bukuria e vendit të tyre. Në këto kushte zhvillimi i turizmit thellon pabarazinë dhe ndihmon pak ose aspak në reduktimin e valës së emigrimit dhe të largimit të trurit.
Natyrisht që emigrimi, largimi i trurit (braindrain në anglisht) apo rritja e kostos së jetesës nuk janë fenomene thjesht shqiptare. Aq më pak mund të analizohen ato thjesht si produkt i qeverisjes aktuale. Megjithatë fakti që Shqipëria është një nga vendet me rrjedhjen më të lartë të trurit në botë kërcet shumë me pretendimin socialist se shqiptarët po qeverisen nga një elitë kompetente në pushtet.
Është vështirë të legjitimohesh si një elitë qeverisëse teksa Shqipëria sot nuk po zbrazet vetëm nga të rinjtë por edhe nga elitat e saj akademike, kulturore dhe intelektuale. Bëhet fjalë për një kategori sociale që nuk largohet thjesht për arësye ekonomike por sepse nuk e gjen veten në Shqipërinë “moderne” të krijuar nga qeveria Rama. Qeverisja “elitiste” socialiste jo vetëm po largon elitat intelektuale nga vendi por as po stimulon riprodhimin e elitave të reja kulturore, shkencore apo intelektuale jashtë pushtetit të ngushtë socialist.
Përtej kullave dhe fasadave Shqipëria sot mbetet e shkretuar nga pikëpamaja kulturore, akademike dhe shkencore. Rilindja urbane nuk është shoqëruar me ndonjë rilindje letrare, kulturore, arësimore apo akademike. Para kemi një rilindje të betonit por jo të shoqërisë. Ngjarja më e madhe kulturore gjatë qeverisjes Rama ishte përplasja mes aktorëve dhe qeverisë për shëmbjen e Teatrit Kombëtar.
Ndërkohë arsimi dhe shkenca jo vetëm nuk shënojnë ndonjë përmirësim të ndjeshëm por shpesh kanë bërë regres. Rezultatet fundit të provimit PISA tregojnë një rënie të madhe të cilësisë së arsimit në Shqipëri duke e rendituar atë në vendin e parafundit në rajon (lë pas vetëm Kosovën). Suvatimi dhe bojatisja e shkollave nuk mjafton për të rilindur sistemin tonë arsimor, pa të cilin zhvillimi dhe modernizimi i qëndrueshëm dhe gjithë-përfshirës janë të pamundur.
E njëjta situatë degradimi karakterizon edhe akademinë shqiptare në përgjithësi sidomos në universitetet publike. Universiteti i Tiranës ende nuk futet dot në renditjen botërore të universiteteve nga prestigjozja Times Higher Education ku janë kalifikuar mbi 2000 universitete në mbi 100 vende të botës. Në këtë aspekt UT ndodhet poshtë Universitetit të Prishtinës që ka hyrë në këtë renditje duke zënë vendin e 1501. (Sa për krahasim, vende me një nivel të ngjashëm zhvillimi të Shqipërisë, si Kolumbia, kanë 36 universitete në renditjen e Times Higher Education, mjaft prej tyre publike dhe brenda 1000 universiteteve më të mira në botë, pra më shumë se 500 vende sipër Shqipërisë. Shiko: https://www.portafolio.co/tendencias/sorpresa-en-el-top-de-las-mejores-de-colombia-segun-ranking-mundial-589835)
Ndërkohë renditja nga QS World University Ranking tregon një rënie drastike të universiteteve publike shqiptare në tre vitet e fundit në raport me universitete e tjera në rajonin e Evropës Juglindore. Nga 688 universitete të vlerësuara në Evropën Juglindore në vitin 2023, Universitetit i Tiranës ndodhet në vendin 677, pra në fund të tabelës, në rajonin më të pazhvilluar të Evropës. (Shiko https://shqiptarja.com/lajm/universiteti-i-tiranës-në-fund-të-rankimit-ndërkombëtar-renditet-i-667i-fakulutetet-më-të-mira-në-rajon-klasifikohen-3-në-serbi).
Akoma më e rëndë është situata tek institucionet kërkimore dhe akademike jashtë universiteteve publike. Akademia e Shkencave të Shqipërisë sot është kthyer në një parti politike, më shumë se sa një institucion kërkimor, me emërimin në krye të saj të një nga dinosaurëve klasik të politikës shqiptare. Ndërkohë fenomene shpresëdhënëse në fushën e akademisë, si zhvillimi i një antropologjie urbane shqiptare nën çatinë e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), u bllokua me shkrirjen e kësaj të fundit.
Gjendja mjerane e arësimit, akademisë dhe shkencës në Shqipëri është treguesi më i qartë se përse është e pamundur të kultivosh një elitë intelektuale apo shkencore sot në Shqipëri, jashtë pushtetit të ngushtë socialist. Ndaj pretendimi i Partisë Socialiste se shqiptarët po qeverisen nga një elitë kompetente tingëllon gjithnjë e më bosh.
Sidomos kur edhe “elita socialiste” në pushtet vështirë se mund të quhet e tillë. Qeveritë Rama kanë numrin rekord të ministrave dhe ministreve anonimë. Batuta e famëshme e gazetarit Mero Baze se “ministrat e Ramës nuk i gjen dot as në google” e përmbledh në mënyrë perfekte këtë fenomen.
Natyrisht që disa prej tyre janë me mastera nga universitete prestigjoze, ose kanë qenë individ të suksesshëm në karrierat e tyre private. Ama kjo nuk do të thotë se janë pjesë e një elite intelektuale, politike, apo profesionale për sa kohë kontributi i tyre në hapësirën publike është i panjohur. Elitat anonime janë thjesht konspiracion. Të qenurit elitë nënkupton një dimension të qartë publik dhe jo thjesht sukses, arësimim apo pasurim privat.
Problemi është se në PS dimensioni dhe njohja publike, nëpërmjet pjesmarrjes në media bëhet vetëm me lejen e kryeministrit. Qeveria dhe partia ndërtohen që mos ti bëjnë hije këtij të fundit. Sapo një burrë apo grua fillon dhe krijon një profil solid publik, ai apo ajo, nxirret në hije. Rasti i Mimi Kodhelit është një nga shembujt klasik të këtij fenomeni. Ajo shumë shpejt u zëvendësua me disa djem e vajza të reja, shpesh anonime, që i bëjnë dekor por jo hije shefit.
Vendosja e djemve, grave apo vajzave anonime në qeveri shitet si promovim i rinisë dhe i pjesmarrjes së gruas në politikë, edhe pse ato nuk kanë ndonjë pushtet real në qeveri, por janë thjesht zgjatime të vullnetit të shefit. Ndërkohë hiqen qafe gratë me kapital dhe kontribut real publik dhe politik që do shënonin vërtet progres në fuqizimin e pjesmarrjes së gruas në politikën shqiptare. Ky është thelbi i pseudo-emancipimit “elitist” socialist që përdor emancipimin e gruas për të fuqizuar dominimin burrit-shef në politikë.
Procesi është produkt i autoritarizmit në rritje të kryeministrit Rama për të cilin mendimi i lirë apo personalitetet e pavarura janë të bezdisshëm dhe aspak efikas në qeverisje. Është i njëjti proces që ndodhi në Partinë e Punës dje pasi ajo u fut nën kontrollin e plotë të Enver Hoxhës që gradualisht eleminoi çdo individ që mund ti bënte hije.
I vetmi ndryshim është se tashmë privatizimi dhe personalizmi i postit të kryeministrit ka kapur rekorde të reja. Edhe në komunizëm ruhej një distancë simbolike mes postit zyrtar dhe post-mbajtësist. Zyra ishte një hapësirë publike dhe jo private.
Sot zyra e kreyministrit i ngjan më shumë një dhome private ndenje apo gjumi të dekoruar sipas shijeve të pronarit të saj sesa një hapësire publike që nuk ka pronarë por vetëm qiraxhinj kalimtarë. Ashtu sikurse edhe qeveria është reduktuar në zgjatim të shijes personale të kryeministrit, duke eleminuar gradualisht çdo kriter publik si kontributet politike, profesionale apo intelektuale për promvimin në ekzekutiv.
Kjo shkëptuje e thellë mes karrirës në ekzekutiv nga njëra anë dhe karrierës dhe kontributit politik dhe intelektual, nga ana tjetër, e ka futur në stanjacion riprodhimin e elitës socialiste. Për këtë arësye cilësia e qeverisjes aktuale është shumë më e dobët se ajo që propogandohet nga rilindja. Skandale si ai inceneratorëve tregojnë jo vetëm korrupsionin por edhe rrumpallën e qeverisjes Rama.
Akoma më tronditëse se prezenca e Ramës pas aferës së inceneratorëve, është mundësia që e gjithë afera të jetë bërë pa dijeninë e tij, çka do nxirrte në pah jo vetëm korrupsionin por edhe mediokritetin e qeverisjes aktuale. Në fakt ky mediokritet doli në pah në intervistën e fundit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahemtaj mbi aferën e inceneratorëve, që edhe pse nuk prodhoi ndonjë fakt të ri nxorri në pah fytyrën e vërtetë të qeverisjes Rama. E gjithë fabula e qeverisjes nga një elitë kompetente bie sapo dëgjon banalitetin dhe servilizmin e shpjegimeve të ish numrit dy të qeverisë Rama, bazuar në thashetheme politike, pa asnjë artikulim të mirëfilltë profesional apo administrativ.
I njëjti fenomen i paaftësisë apo mediokritetit qeverisës shfaqet tek blerja e teceve me naftë të parkuara në Gjirin e Vlorës. Blerja e teceve mjaft ndotëse me naftë, parkimi i tyre në Gjirin turistik të Vlorës, për të prodhuar energji elektrike mbi çmimin e tregut, nuk është thjesht cështje korrupsioni por dëshmi e një vendimmarrje rrumpallë, pa llogjikë financiare, energjitike apo turistike (shiko: https://www.monitor.al/cmimet-e-energjise-kane-rene-ndjeshem-por-tec-et-lundrues-drejt-venies-ne-pune-kesh-hap-tenderin-per-blerjen-e-4000-toneve-nafte/?fbclid=IwAR01qyLWIgSZzwW_PonJnSyBDuSkNOSeLq4weU0vaOPX-1AQAuqk0-WFcFk ).
Mediokriteti dhe kriza e qeverisjes aktuale fshihet jo vetëm pas propagandës socialiste dhe mediave të kapura por edhe pas cirkut opozitar. Telenovela Berisha-Basha-Meta-Rama nuk lë hapësirë për diskutimin e gjërave kaq banale si rritja e kostos së jetesës dhe e niveleve të varfërisë, degradimi i sistemit arësimor dhe shëndetësor, rreziku i teceve me naftë tek Gjiri Vlorës, punësimi jo cilësor dhe pa të drejta, shkatërrimi i institucioneve akademike nga dinosaurët e politikës, kriza demografike, apo shkretimi akademik, kulturor, intelektual dhe arsimor i Shqipërisë nga ikja e trurit.
E megjithatë protagonizmi autoritar i Ramës që eleminon çdo personalitet politik apo publik që mund ti bëjë hije e bën gjithnjë e më të vështirë legjitimimin dhe rinovimin e qeverisjes aktuale si një elitë kompetente modernizuese. Ndaj shumica socialiste me Ramën në krye e stimulon konfliktin me opozitën e përçarë duke i mohuar asaj edhe të drejta bazë kushtetuese si komisionet hetimore. Tymi dhe zhurma në parlament i shërbejnë edhe Ramës për të fshehur fytyrën e vërtetë të qeverisjes socialiste sot, që vazhdon të jetë ajo e Arben Ahmetaj.