“Nisu tani për në Bankën e Shqipërisë!” Vlerësimi me 97 pikë, u shoqërua me këtë kompliment nga ana e pedagogëve të komisionit për mbrojtjen e diplomës master në UET. Ishte tetori i 2022. Një vit më pas, Krista Kozmai do të gjendet pikërisht në ambientet e Bankës së Shqipërisë për t’u nderuar me “Çmimin e Guvernatorit për diplomën më të mirë”, një vlerësim që jepet prej 17 vitesh nga ky institucion. Ajo ishte e vetmja studente nga universitetet e Shqipërisë, duke u renditur e treta me temën e punimit shkencor: “Frika nga kursi i lirë i këmbimit-Rasti i Shqipërisë!”. Dy vendet e para u morën përkatësisht nga një studente që vinte nga universiteti VanAmsterdam, Holandë dhe tjetri nga Greenwich, Angli.
“Shpresat i kisha për çmimin e parë, duke qenë se iu kam hedhur një sy temave gjatë këtyre viteve. Janë tema shumë të mira, por të bëra për SHBA, Evropë, etj., vende të cilat kanë kërkim të zhvilluar shkencor, ku aksesi në literaturë dhe të dhëna është i lartë. Për Shqipërinë është më e vështirë, duhet shumë kohë edhe për të gjetur të dhënat. Fillimisht u mërzita pak, por tani jo më, pasi jam e bindur se Jezu Krishti ka vendosur sipas planit të tij”, thotë Krista, si një besimtare e krishtere që udhëton prej vitesh me mirënjohje.
Në momentin e marrjes së çmimit shumica e emocioneve ishin fashitur. Lajmin e përzgjedhjes në mesin e finalistëve e kishte marrë nga BSH në javën e parë të dhjetorit. E vetmja surprizë ishte renditja. Aplikimet hapen çdo vit nga banka dhe mbyllen në muajin gusht. Krista tregon se njoftimin për këtë kompeticion e kishte marrë nga UET, që kur u diplomua për “Financë-Kontabilitet”, në nivelin bachelor.
Se mban mend arsyen e mosaplikimit në atë periudhë, por mesa duket momenti i saj ka qenë 2023. Edhe njoftimin e mori nga disa burime, nga universiteti, nga lajmet e ekonomisë të cilave nuk iu ndahet, por edhe nga profesori Elvin Meka, të cilin e kishte pasur udhëheqës të punimit të diplomës master shkencor, ndërsa mbylli studimet për “Financë, audit i brendshëm dhe menaxhim risku”.
Një vulosje në një mënyrë ndryshe e quan çmimin. Jo aq për shpërblimin monetar, sesa vlerësim për lodhjen, përkushtimin, angazhimin dhe seriozitetin që i kushtoi. I mori kohë, madje 3 muaj iu desh të punonte intensivisht çdo ditë.
“Është lajm i mirë për mua, sepse në fushën e ekonomisë nuk ka institucion më të lartë që të të vlerësojë, pavarësisht vlerësimit që merr në universitet. BSH kryeson për kërkimin shkencor”, thotë Krista, duke shtuar se punimi i saj është botuar edhe në revistën shkencore të Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit të UET, “Economicus”.
Procesi i zgjedhjes së temës dhe metodës së përpunimit dhe analizimit të të dhënave ishte një kosto më vete. Pasi zgjodhi tre tema, ajo ia dërgoi ato profesorit udhëheqës i cili sugjeroi se për nivelin master do të ishte më e përshtatshme tema “Frika nga luhatjet e kursit të këmbimit”. “Zgjedhja e temës është vetem 1% e punës që vjen më pas”, thotë me të qeshur.
Idenë fillestare për këtë temë e kishte marrë nga lënda e profesor Selami Xhepës, presidenti i UET, “Financializmi dhe krizat”. Aty kishte hasur një hulumtim të tillë “Fear of Floating”, nga dy studiues, Guillermo A. Calvo dhe Carmen M. Reinhart, të cilët nëpërmjet metodave të tyre kishin treguar se vendet që pohonin se ndiqnin një regjim luhatës të kursit të këmbimit, realisht nuk e bënin një gjë të tillë.
Problemi ishte se ajo nuk mund të përdorte të njëjtën metodë studimi siç ishte përdorur nga autorët e huaj, për shkak se kursi i këmbimit nuk ndiqte ndonjë shpërndarje probabilitare të njohur. “Duhet të gjeja një metodë të re”, thotë më tej. Kërkoi ndihmën e një tjetër pedagogeje të UET, Aurora Binjaku, me të cilën kishte zhvilluar lëndën e “Ekonometrisë”.
“Më tha se tema ishte e vështirë dhe më dërgoi një studim që sipas saj mund të më orientonte. Por edhe pse ndihmoi disi, sërish nuk mund t’i jepte zgjidhje përfundimtare”, thotë ajo.
Ndërkohë që merrej me punimin e diplomës, ishte edhe në punë, gjë që ia limtonte kohën. Shfrytëzoi pushimet verore për t’u “arratisur” nga Tirana. Rrëmbeu gjithë literaturën dhe shkoi te shtëpia e saj në Përrenjas. Tre javë ndenji aty me të njëjtin ritëm pune, pas kafes së mëngjesit zhytej në lexim. “Mua më pëlqen vetmia dhe m’u duk interesante, por pastaj po më merrte malli për të parë njerëz”, thotë me humor.
“Kur ke mbaruar së lexuari literaturën dhe ke përzgjedhur edhe variablat, të duhet të gjesh një mënyrë se si të bësh matjet, në mënyrë që ta pranosh apo hedhësh poshtë hipotezën. Perveç kësaj, duhet të gjesh edhe të dhëna të cilat metoda t’i pranon, sepse jo çdo e dhënë mund të përdoret. Provoja vazhdimisht disa metoda dhe nuk më dilnin rezultatet”.
Tashmë gjumi nuk ishte më i njëjtë për të. Shpesh herë zgjohej edhe natën, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
Një tjetër leksion nga profesore Aurora do t’i jepte zgjidhje. Siç shpjegon Krista, në deklaratat e saj, Banka e Shqipërisë tregon nëse ka bërë ndërhyrje në treg ose jo. “Më erdhi në mendje leksioni me variablat cilësorë, pra të përfshija një variabël binarë, kur kishte ndërhyrë, dhe kur nuk kishte ndërhyrë banka. Më pas profesorja ma konfirmoi këtë metodë”.
Dhe kështu, nëpërmjet kësaj metode ajo arriti të tregojë se sjellja e kursit të këmbimit shpjegohet nga faktorët fondamentalë, ku të ardhurat nga emigrantët rezultojnë me ndikim të rëndësishmen, ndërsa treguesit e tjerë rezultojnë jo-statistikisht të rëndësishëm dhe në kundërshtim me teorinë. Nga ana tjetër, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk u gjetën të jenë statistikisht të rëndësishme për të influencuar kursin e këmbimit.
“Është shumë e vështirë, punë kolosale të bësh një studim shkencor. Mund të të ikë edhe kot gjithë kërkimi, nëse nuk arrin në një konkluzion real dhe të mirëqenë”, thotë Krista më tej, si një vajzë që dikur donte arkitekturën dhe i pëlqente piktura.
Por në kohën e zgjedhjes së studimeve të larta vlerësoi këtë zgjedhje, për të shkuar drejt ekonomisë. Në fillim as vetë nuk ishte e qartë për zgjedhjen e bërë. Do të ishte pikërisht një lëndë e zhvilluar në semestrin e parë, në fushën e mikroekonomisë “Ekonomiksi, Mikroekonomia” me autorë N. Gregory Mankiw dhe Mark P. Taylor, botuar nga UET Press, e cila do t’i zgjonte edhe dëshirën për fushën.
“Autorët e thjeshtësonin dhe e sillnin shumë bukur. Aty fillova ta kuptoja fushën. Gjithmonë kur dua të lexoj diçka, iu kthehem atyre”, thotë Krista Kozmai. Për suksesin e fundit i është falënderuese Zotit Jezus Krisht, familjes, UET, dhe në veçanti profesor Elvin Mekës që e udhëhoqi në diplomë.
“Mund të shpenzosh shumë kohë duke kërkuar dhe në fund të kuptosh që ke kërkuar në zonën e gabuar. Që të evitosh këtë, të duhet profesori udhëheqës. Mund të kërkosh në zonën e duhur, por prapë nuk të shfaqet zgjidhja. Këtë të fundit ta zbulon Zoti”, përfundon Krista.