Një foto e publikuar këtë të mërkurë në faqen zyrtare të Kuvendit ka sjellë reagimin e opozitës, ku deputeti Enkelejd Alibeaj njëherësh dhe kandidat i koalicionit opozitar “Djathtas për Zhvillim” pohon se institucioni më i lartë në vend po përdoret për fushatë në favor të Partisë Socialiste.
Por vetë institucioni në një reagim në mediat sociale mohoi të jetë përfshirë në fushatë dhe shton se është përfaqësues i vullnetit të popullit dhe i të gjitha forcave politike.
“Sqarojmë opinionin publik se shërbimet e Kuvendit, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, bazohen në parimet e profesionalizmit dhe paanshmërisë. Kuvendi i Shqipërisë garanton opinionin publik se administrata dhe shërbimet, faqja dhe rrjetet sociale të tij nuk janë përfshirë dhe nuk do të përfshihen në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në reagimin e Kuvendit.
Për mikrofonin e A2 CNN, Alibeaj shprehet se denoncimi i tij është dorëzuar tashmë në platformën elektronike të KQZ, por shton se ende nuk ka një reagim nga ky institucion.
“Ende nuk kam një përgjigje, po pres. Në fakt pres edhe diçka tjetër, që jo vetëm unë si deputet apo dikush tjetër që e kam konsultuar faqen e Kuvendit, por edhe grupi i monitorimit të KQZ i ngritur disa ditë më parë për të monitoruar rrjetet sociale të kandidatëve dhe institucione ta kenë identifikuar këtë ngjarje të rëndë”.
Denoncimin Alibeaj e depozitoi edhe në platformën elektronike të ngritur nga SPAK, por shton se do të bëjë edhe kallëzimin përkatës. Ai kërkon prej Strukturës së Posaçme që të hetojë jo vetëm këtë rast, por çdo krim elektoral.
“Është një tjetër institucion ai që do duhet në fakt që të jetë i dedikuar për hetimin e krimeve zgjedhore, e kam fjalën këtu për SPAK. I cili do duhet të përdorë çdo mjet aktiv për identifikimin dhe të procedimit madje në kohë reale të krimeve zgjedhore. Kjo do duhet të ndodh tani, që është fushatë elektorale. Sa më shpejt dhe sa më shumë, aq më mirë.”
Se kush fshihet pas këtij postimi me natyrë elektorale, Alibeaj deklaron se nuk është në dijeni, por sipas tij më shumë rëndësi ka fakti se autori.
“Është e tepërt të komentoj se kush e ka bërë. Faqja zyrtare është e insitucionit. A është Elisa Spiropali, a është një drejtor, a është një IT? Kjo pak rëndësi ka.”
Sipas drejtuesit të koalicionit Djathtas për Zhvillim, Kuvendi nuk është i vetmi institucion që është përdorur për qëllime elektorale, por shton se një pjesë e madhe administratës po keqpërdoret.