Kreu i Policisë së Shtetit nuk do të zgjidhet më nga ministri i Brendshëm, ja ndryshimet në ligj

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk do të përzgjidhet më nga Ministri i Brendshëm, por do të jetë një komision i posaçëm brenda kësaj ministrie që do të japë dritën jeshile për kreun e ri të uniformave blu.

Kjo është parashikuar në disa ndryshime që priten së shpejti të miratohen në Ligjin për Policinë e Shtetit. Në këtë fazë, këto ndryshime janë ende ne diskutim ku priten që të shtohen edhe sugjerimet për disa ndryshime të rëndësishme të tjera që prekin drejtoritë vendore si dhe komisariatet.

Gazetari i Vizion Plus Esido Barkaj mëson se Komisioni që pritet të ngrihet në Ministrinë e Brendshme do të trajtojë të gjitha kandidaturat që do të paraqiten për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Më pas ky komision do të përcjellë të ministri i Brendshëm një kandidaturë të vetme, pikërisht atë që komisioni ka vlerësuar si më të përshtatshëm dhe që i ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura. Ministri, emrin e ri të kreut të policisë e dërgon te Kryeministri.

Janë hartuar edhe disa ndryshime të tjera të rëndësishme. Pas miratimit nuk do të ketë më grada të Inspektorëve, pra të rolit bazë të Policisë. Para pak muajsh, në varësi të vendit të punës dhe të vjetërsisë, u dhanë gradat për Inspektor të Parë dhe të Dytë, kjo e përthyer në një rritje të pagës. Me ndryshimet e reja këto grada do të hiqen, duke ulur edhe pagën tek ata që e përfituan muaj me pare.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe mundësia që çdo efektiv mbi 55-vjeç dhe që i ka shërbyer mbi 30 viteve radhëve të policisë, ka mundësinë që të dalë në pension dhe të përfitojë 70% të pagës aktuale. Kjo mundësi do të jetë në dëshirën e efektivit, nëse dëshiron ose jo që të vazhdojë punën. Fondi i parashikuar për këtë kategori nuk do të merret nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, por do të jepet nga fondi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com