Kryetari i PL-së, Ilir Meta riktheu sulmet ndaj SPAK dhe drejtuesit Altin Dumani, të cilin e akuzoi se i ka bllokuar llogaritë bankare të partisë. Madje, ai kërcënoi edhe bankat se do t’i falimentojë.
Duke komentuar këtë deklaratë, analisti Arben Meçe tha se deklarata të tilla të Metës janë të penalizueshme sipas legjislacionit shqiptar, pasi siç shtoi ai, cënojnë sigurinë kombëtare.
“Në Shqipëri ka një dispozitë që mbron në mënyrë të posaçme personalitetin dhe figurat shtetërore, ku përfshihet edhe Dumani. Pse shteti shqiptar lejon elementë të caktuar që të deklarojnë në publik në forma dhe përmasa të tilla që janë anti-ligjore dhe anti-kushtetuese. Njëra prej tyre është edhe kjo e bankës. Sistemi demokratik ka disa shtylla, që janë të lidhura me sigurinë kombëtare dhe një nga to është sistemi bankar. Nëse në një shtet të natyrës demokratike, cënon sigurinë bankare, kjo përbën vepër penale që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. ’94-ta u shpërthye si rrjedhim i këtij mekanizmi, u cenua besueshmëria e sistemit bankar. Ajo që më shqetëson nuk është thirrja e Metës por çfarë instrumentash posedon që thotë ‘unë falimentoj’. Të jetë një figurë e besueshme, fjalën e Metës populli e dëgjon dhe prodhon krizë bankare. Por këtë se beson njeri sepse është politikani më i pabesueshëm në Shqipëri por na çon në një pistë tjetër se flitet se Meta nëpërmjet instrumentave dhe aksesorëve të besueshëm të tij ka futur në sistemin bankar një sasi të konsiderueshme lekësh, dhe miliarda euro. Kur bën një thirrje të tillë, ekziston mundësia që këta njerëz të bëjnë një tërheqje të kësaj sasie, duke prodhuar një vakum në sistemin bankar dhe atë që Meta jep si mesazh.”, theksoi Meçe.
Analisti thotë se më shqetësuese janë mekanizmat për të cilat Meta flet se mund të përdorë.
“Duhet parë me kujdes kërcënimi i Metës si mesazh dhe instrument që posedon në dorë. Ndërsa thirrjet e Metës që cënojnë sigurinë kombëtare dhe janë të penalizueshme, pavarësisht si ish president apo kryetar, nuk e mbron nga kjo tipologji deklarimi. Nëse shteti nuk reagon ndaj këtyre deklarimeve do të thotë se mesazhet e Metës po shkojnë në vesh. Me shqetëson se Meta paska potencial që nëpërmjet instrumentave dhe lidhjeve të tij po hedh në treg një deklaratë që është e penalizueshme nga legjislacioni shqiptar që ka të bëjë me destabilizimin e Shqipërisë dhe me sigurinë kombëtare të Shqipërisë.“, shtoi analisti.