Profesori dhe eksperti amerikan në shkenca politike, Alon Ben Meir, ekskluzivisht për Ditarin e Kosovës në A2 CNN analizon dialogun Prishtinë-Beograd, dhe lëvizjet politike e ushtarake në të dyja anët. Profesori i shquar, autor i shumë librave, thotë se Serbia nuk do ta sulmojë asnjëherë Kosovën pasi nuk dëshiron një përplasje ushtarake me NATO-n e fuqishme. Sipas ekspertit amerikan, Vuçiç po e bën të gjithë këtë retorike me kërcënime të kota, vetëm për të kënaqur Putinin. Sa i përket vendimit për dinarin serb, ai thotë se Kosova ka të drejte, por mënyra se si vepron Kurti pa koordinim me aleatët është e gabuar.
A2 CNN: Le tja nisim nga shkrimi juaj i fundit me titull “Serbia e Vuçiçit flet me zë të lartë, por ka vetëm një shkop të vogël”. Ju thoni se mundësia e një lufte nga Serbia kundër Kosovës është thuajse zero. Por NATO thotë se Ballkani përballet me rrezik real. Tani Vuçiç po kërkon për kthimin e ushtrisë serb në Kosovë. Si e vlerësoni këtë?
BEN MEIR: Epo, kur shikoj dhe vlerësoj kushtet në Serbi dhe marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duhet të kujtojmë një gjë: Kosova sot është e garantuar. Siguria garantohet nga NATO. Nga këndvështrimi im, nëse Presidenti Vuçiç bën ndonjë përpjekje për të pushtuar Kosovën, ai me siguri do të përballet me forcat e NATO-s. Unë nuk mendoj se ai është në një pozicion dhe as nuk dëshiron në asnjë rrethanë të angazhohet në përballje të drejtpërdrejtë me NATO-n. Pavarësisht marrëdhënies së Vuçiç me Putinin, ai ende do të donte që në një moment apo tjetrin të anëtarësohej në BE. Pra, po, ai mund të përpiqet të tregojë disa muskuj. Ai mund të flasë shumë me zë të lartë. Ai mund të kërcënojë. Ai dërgoi disa trupa përgjatë kufirit, por kjo nuk përkthehet domosdoshmërish në një plan veprimi. Nëse kjo do të shkonte drejt një pushtimi të Kosovës, do të ishte një gabim i tmerrshëm nga ana e tij, dhe ai e di këtë. Pra, ai po flet gjithashtu me zë të lartë për të qetësuar Putinin në vend që të bëjë atë që Putini do të donte që ai të bënte. Prandaj arrita në përfundimin se presidenti Vuçiç nuk është në pozitë dhe as nuk dëshiron në asnjë mënyrë të sulmojë Kosovën, as tani dhe as në të ardhmen e parashikueshme.”
A2 CNN: Ju kritikoni mënyrës se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i bën gjërat dhe politikat. Por çfarë duhet të bëjë Kosova në këto kohë, kur po përpiqet që të marrë njohjen e pavarësisë nga Serbia?
BEN MEIR: Ky është një proces shumë i vështirë. Duhet të kujtojmë se Serbia edhe sot e kësaj dite ende nuk e njeh Kosovën dhe për arsyet e veta, ende mendon se Kosova është një krahinë e Serbisë. Pra, herët a vonë ata do të duhet të arrijnë në përfundimin se Kosova është e pavarur. Shikoni, që Serbia të konstatojë pavarësinë e saj, Kosova nuk duhet të varet nga kjo. Pra, nuk duhet të varet nga ajo që bën apo thotë Serbia. Domethënë, Kosova tashmë është e njohur nga mbi 100 vende, duke përfshirë shumicën e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe fokusi duhet të jetë, për mendimin tim, forcimi i brendshëm, brenda vendit, të pavarësia e saj. Kjo është realisht ajo që kryeministri Kurti duhet të fokusohet. Por ajo që ne po dëgjojmë ndër vite, dhe gjatë viteve të fundit është konstante, një lloj, po e citoj, konfrontimi me Serbinë. Kjo nuk shërben domosdoshmërish në interesat afatgjatë. Mendoj se duhet të ketë më shumë fokus në zhvillimin e brendshëm, zhvillimin ekonomik, në krijimin e vendeve të punës në mënyrë domethënëse, veçanërisht në investimet e huaja. Ju duhet të forconi institucionin demokratik në Kosovë. Kjo duhet të jetë agjenda kryesore e çdo kryeministri. Mendoj se kryeministri Kurti po bën një punë të mirë. Ai është shumë i përkushtuar për pavarësinë e Kosovës dhe nuk është i korruptuar, si shumë nga paraardhësit e tij. Por është e rëndësishme të kihet parasysh kur ai, për shembull, thotë se ka një luftë eminente ose se Serbia do të bëjë një luftë, ose planifikon të ketë një luftë kundër Kosovës; ajo që ai po bën gjithashtu është dekurajimi i investitorëve të huaj që të vijnë në Kosovë dhe të investojnë, sepse ata mendojnë se ndoshta Kosova do të përfundojë në luftë me Serbinë. Kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm me këtë. Për shembull, ata po shikojnë korrupsionin. Investitorët e huaj nuk duan të investojnë në një vend ku mendojnë se ka korrupsion të nivelit të lartë, megjithëse vetë Kurti po përpiqet të pastrojë dhe të heqë qafe këta zyrtarë të korruptuar, por duhet bërë shumë më tepër. Pra, ajo që po them, fokusimi brenda vendit në çështjet që forcojnë pavarësinë e Kosovës duhet të forcojë demokracinë e Kosovës, kjo është shumë më e rëndësishme sesa të përpiqesh të merresh vazhdimisht me atë që po bën apo thotë Serbia.”
A2 CNN: Ju thoni se SHBA-të dhe Bashkimi Europian janë partnerët më të mirë për Serbinë, por presidenti Vuçiç qartësisht ka zgjedhur Rusinë dhe Kinën, për biznes dhe politikë. A mendoni se presidenti Vuçiç po përdor Uashingtonin dhe Brukselin vetëm për paratë?
BEN MEIR: Jo domosdoshmërish për sa kohë që Putin është në pushtet. Dhe, sigurisht, ka një marrëdhënie, ka lidhje fetare, ka lidhje kulturore. Ai thjesht nuk mund të braktisë Rusinë, të braktisë Putinin. Mendoj se për sa kohë që Putini është në pushtet, ju mund të prisni që të sillet ashtu siç po sillet. Por kjo nuk do të thotë, nuk sugjeron se ai thjesht nuk ka asnjë interes me BE-në ose nuk ka interes me Shtetet e Bashkuara. Atij i intereson BE dhe SHBA. Por është çështje kohe. Është një çështje e aktit balancues. Prandaj sillet kështu. Pak a shumë, unë e barazoj atë me Presidentin Erdogan të Turqisë. Presidenti i Turqisë po bën pothuajse të njëjtën gjë si Vuçiç i Serbisë. Dhe në fakt, siç e dini mirë, Turqia është pjesë e NATO-s. Pra, nuk është një fenomen i çuditshëm për një drejtues që ndodhet në atë zonë, i cili do të donte të kërcente në dy dasma në të njëjtën kohë. Por kjo nuk sugjeron se ai nuk ka interes me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara. Ai e di se e ardhmja e Ballkanit, mirëqenia e ardhshme e Ballkanit, varet shumë më tepër nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja sesa nga Rusia apo Kina.
A2 CNN: Për ta përmbyllur do të dëshiroja një mëndin për çështjen e dinarit, përplasjen verbale mes Kurtit dhe Veçimit në OKB, por gjithashtu edhe për vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, në Shqipëri, çfarë duhet të presim?
BEN MEIR: Në fakt, kam dëgjuar dhe lexuar diçka për paraqitjen e Kryeministrit Kurti për Kombet e Bashkuara, dhe jam shumë dakord me shumë nga ato që tha. Por për çështjen e valutës, shikoni, nuk ka dyshim se një monedhë e unifikuar në çdo vend është shumë e rëndësishme. Shqetësimi është te kontrabanda e parave të gatshme në qindra mijëra euro, në miliona, për këtë çështje. Ky është një problem. I vetmi shqetësim që kam për këtë është mënyra se si është trajtuar. Domethënë, përderisa kryeministri varet në masë të madhe nga vullneti i mirë dhe mbështetja dhe mbrojtja e BE-së, mendoj se ai duhet të bashkëpunojë shumë më tepër me këta partnerë, pra me Shtetet e Bashkuara dhe BE. Pra, në rastin, në çështjen e monedhës, do të doja ta shihja atë duke u konsultuar më shumë, duke ju dhënë më shumë kohë për të bërë ndryshimin, ndoshta disa muaj, gjashtë muaj, në vend që ta bënte këtë në një njoftim në kohë shumë të shkurtër. Ky është me të vërtetë ndryshimi. Unë e vlerësoj atë që ai po përpiqet të arrijë, por kjo është përsëri si çështja e targave të makinave, që nuk fokusohet në çështjet margjinale. Kjo vendos në pikëpyetje mënyrën e realizimit dhe kohën që duhet për zbatim. Pra, po, qëllimet e tij janë shumë të mira. Unë mendoj se në mënyrën se si u trajtua nuk ishte ashtu siç do të doja që të ndodhte.”
/a.r