Konventa e demokratëve, Tim Walz pranon zyrtarisht nominimin për zv.president. Fjalimi surprizë i Oprah Winfrey
Tim Walz pranoi nominimin në Konventën e demokratëve për zëvendëspresident për garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në ditën e tretë të konventës, guvernatori i Minesotës, gjatë fjalimit politik me profilin më të lartë në karrierën e tij, Wals, mes emocionesh pranoi nominimin duke u prezantuar para amerikaneve me rolin e tij si mësues, por edhe si një trajner.
“Është nderi i jetës time të pranoj nominimin tuaj. Do të flemë kur të vdesim. Dhe do t’i lëmë të gjitha në fushë. Ne kemi një ekip fitues dhe duhet të luajmë 76 ditë për arritur atje”, tha Wals duke ju referuar kështu Shtëpisë se Bardhë. Mes duartrokitjesh në stadiumin ku mbahet konventa e demokrateve në Çikago, Tim Wals vlerësoi kandidaten për në Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris për të cilën tha se është gati të udhëheqë vendin.
Por surprizë në këtë ditë të tretë të konventës ishte paraqitja e mbretëreshës së ekranit, Oprah Winfrey, që vlerësoi Walz dhe u bëri thirrje votuesve që të zgjedhin mendjen e shëndoshë mbi marrëzitë dhe të votojnë për Kamala Harris.
“Zgjedhjet e nëntorit janë një luftë për liri. “Liria nuk është e lirë. Le të zgjedhim të vërtetën, le të zgjedhim nderin, le të zgjedhim gëzimin, sepse kjo është më e mira e Amerikës”, tha ajo.
Ajo pranoi se ishte regjistruar e pavarur për të votuar dhe, duke ju drejtuar të pranishmëve në sallë theksoi: “republikanët duan të na trembin, duan të na qeverisin, të na bëjnë të besojmë se librat janë më të rrezikshëm se pushkët”.
Nuk mungoi në këtë ditë të tretë edhe Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, që nuk kurseu vlerësimin për Harris që, sipas tij, ka përvojën ,vizionin e temperamentin e duhur për të drejtuar SHBA.