Konflikti në fshatin Gjashtë, Gjykata e Sarandës lë në burg 2 efektivët e policisë

Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy efektivë policie Alvaro Sulejmani, efektiv në Komisariatin e Policisë Himarë dhe Kidi Sulejmani, efektiv i Policisë Kufitare Sarandë.

Të dy efektivët u përfshinë në një konflikt të dhunshëm me armë zjarri, të ndodhur më 2 janar në fshatin Gjashtë. Vendimi u mor pas seancës së zhvilluar sot, ku u shqyrtuan provat dhe dëshmitë e mbledhura nga grupi hetimor.

Ndërkohë, për 6 personat e tjerë të përfshirë, mes të cilëve një efektiv policie dhe një student i Akademisë së Policisë, gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Akuzat ndaj tyre, secili sipas përgjegjësisë personale, ishin “plagosje e lehtë me dashje”, “kanosje”, “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “shkatërrim i pronës” e “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Për veprën e fundit akuzohet vetëm efektivi i policisë, Alvaro Sulejmani 36 vjeç.

Alvaro Sulejmani është shprehur se ka pasur njohje të mëparshme me viktimat dhe se kërkon ndjesë për çfarë ka ndodhur.

Konflikti i dhunshëm dyshohet se ka nisur për një mosmarrëveshje mbi një makinë me qira. Gjatë hetimeve, në vendngjarje u gjetën 6 gëzhoja armësh zjarri, duke konfirmuar përdorimin e armëve në përplasjen mes palëve. Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë u përdorën si prova kyçe për vendimin e gjykatës.

Në kërkim për ngjarjen vazhdojnë të jenë dy persona të tjerë, mes të cilëve një ish-efektiv i Komisariatit të Policisë Sarandë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com