Prej disa muajsh Partia Socialiste ka ngritur një grup pune informal me kryetarët e grupeve parlamentare me qellim për të reformuar strukturën organizative dhe burimet njerëzore të kuvendit.
“Sot që flasim kemi një grup pune, e theksoj informal. Ajo që ne kemi filluar si proces tani është që të përcaktojmë një plan me faza nëpër të cilat duhet të kalojë ky proces, qëllimi i të cilit është përmirësimi i efikasitetit, eficencës, punës së kuvendit”, tha Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Kryetari i këtij grupi, Eduard Shalsi tregon në një intervistë për Euronews Albania se procesi i integrimit e detyron këtë gjë.
“Kuvendi me sfidat e reja, një nga të cilat është kjo e anëtarësimit në BE, por edhe për të rritur kapacitetet monitoruese, kontrolluese të agjencive të ndryshime por edhe të qeverisë, në vetvete do duhet që të përmirësojë strukturën, por do duhet dhe një filtrim të burimeve njerëzore me qëllim për të thithur sa më shumë njerëz profesionist”, u shpreh Shalsi.
Ai fton dhe opozitën të jetë pjesë e këtij grupi.
“Ne besojmë që ka disa zëra racionalë brenda opozitës që do të duhet të marrin përgjegjësinë për t’u bërë pjesë, por edhe për të kontribuar me ide për të cilat ne jemi shumë të hapur”, tha ai.
Shalsi hedh poshtë ngritjen e një komisioni për të kontrolluar SPAK si dhe ka një mesazh për opozitën.
“Është një spekulim i pastër që e kam thënë, e them që në rastin më të mirë është padijeni, në rastin më të keq është hedhja e një tymnaje pikërisht nga ata aktorë që i tremben SPAK-ut”, u shpreh Shalsi./m.j