Komandant supreme po të presim! Është mesazhi që lexohet në posterat e vendosura rreth veriut të Kosovës këtë të diel, e që shoqëron foton e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Imazhet janë shfaqur në Mitrovicën e veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, në katër komunat e banuara me shumicë serbe.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kanë nisur hetimet për “nxitje të urrejtjes”.
Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterave, por “policia po punon në drejtim të zbardhjes së rastit”. Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në veri, Elshani tha se është e mirë.
/a.r