Kishte mbetur i bllokuar në bjeshkët e Doberdolit, shpëtohet turisti nga Kosova

Policia e Tropojës, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës kanë arritur të shpëtojnë një turist i cili kishte mbetur i bllokuar në bjeshkët e Doberdolit teksa së bashku me dy turistë të tjerë kishin qenë duke eksploruar zonën e Valbonës.

Sipas asaj që njofton policia tre turistët janë nga Kosova ku dy prej tyre kishin arritur që të kalonin në zonën e Kosovës ndërsa njëri është ndihmuar nga policia.

Bëhet e ditur se turisti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i policisë:

Kishte mbetur i bllokuar, në një terren tejet të thepisur dhe me dëborë, në bjeshkët e Doberdolit, Policia e Tropojës, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, i japin ndihmë turistit.

Rreth orës 11:00, Emergjencat Civile të Kosovës kanë njoftuar se 3 turistë nga Kosova, duke eksploruar alpet e Valbonës, me motorë bore, kishin mbetur të bllokuar, për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, kanë organizuar punën dhe kanë nisur kërkimet, me qëllim lokalizimin e turistëve.

Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, në vendin e quajtur “Ura Pojanes”, u lokalizua turisti që kishte mbetur i bllokuar, ndërsa 2 turistët e tjerë kishin arritur të dilnin në zonën e Kosovës. 

Turisti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka falënderuar shërbimet e Policisë dhe Emergjencat Civile të Kosovës, për ofrimin e menjëhershëm të ndihmës.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që për çdo rast të nevojës për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com