Një 38-vjeçar është proceduar penalisht pasi kishte fshehur në kabinën e kamionit që drejtonte 30 000 euro që t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar.
Gjithashtu, i janë sekuestruar paratë.
Gjatë kontrolleve, në kasetën e kabinës së kamionit të drejtuar nga shtetasi G.Gj. u gjetën të fshehura 30 000 euro.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. Gj., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
/a.r