Së paku 10 bashki në vendin tonë ishin të “falimentuara” në vitin 2023, pasi kishin borxhe të prapambetura më të larta se të ardhurat e veta. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, së paku 10 bashki kanë një raport mjaft të lartë, mbi 100% të stokut të detyrimeve të vitit 2023 ndaj të ardhurave të veta. Klosi (339%), Memaliaj (270%), Dibra (156%), Malësia e Madhe (139%); Puka, Peqini, Dimali, Cërriku (120%); Kavaja dhe Tropoja (110%).
Stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të muajit dhjetor 2023 nga Ministria e Financave është rreth 4.8 miliard lekë.
Stokun më të lartë të detyrimeve e ka bashkia Kavajë në vlerën rreth 794 milion lekë, e cila përbën 16.7% të totalit të detyrimeve. Më pas, bashkia Tiranë në vlerën rreth 788 milion lekë, e cila përbën 16.6% të totalit të detyrimeve; bashkia Vorë në vlerën rreth 363 milion lekë, e cila përbën 7.6% të totalit të detyrimeve; Bashkia e Durrësit në vlerën rreth 311.5 milion lekë, e cila përbën 6.6% të totalit të detyrimeve; bashkia Pogradec në vlerën rreth 224 milion lekë, e cila përbën 4.7% të totalit të detyrimeve. Më pas renditen bashkia Dibër dhe Lezhë.
Sipas kategorive, peshën më të madhe të stokut të detyrimeve e zë kategoria “Investime” me 47%, ndjekur nga “Të tjera” 25%, “Shërbime” 11%, dhe “Vendime Gjyqësore” 9%.
Në vitin 2023 është rritur pesha e stokut e lidhur me investimet e pashlyera, si dhe aktivitete të tjera, që janë të lidhura drejtpërdrejt me disiplinën fiskale në nivel vendor. Ndërsa sa u përket qarqeve, stoku i detyrimit të tyre përbëhet kryesisht nga vendime gjyqësore, të cilat zënë 95.9% të totalit të detyrimit të qarqeve.
Ministria e Financave vlerëson se detyrimet e prapambetura vazhdojnë të jenë problem edhe për vitin 2023. Vitin e kaluar Ministria e Financave ka përgatitur dhe publikuar raportin e gjendjes financiare për të 61 bashkitë për vitin 2022, ku ka rezultuar se 49 bashki dhe 9 qarqe janë pa probleme financiare, 8 bashki dhe 1 qark kanë probleme financiare dhe 4 bashki 2 qarqe janë me vështirësi financiare.
Stoku i detyrimeve të prapambetura gjatë vitit 2023, përbën rreth 13.8% të të ardhurave të veta totale të njësive të vetëqeverisjes vendore. Krahasuar me një vit më parë, si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave të veta ky raport është zvogëluar me rreth 3.6% për shkak të uljes së detyrimeve dhe rritjes së të ardhurave të veta. Stoku i detyrimeve të prapambetura prej 4.8 miliardë lekë zë rreth 7% të totalit të shpenzimeve faktike të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Ministria e Financave vuri në dukje se kapaciteti fiskal mjaft i ulët i shumicës së këtyre bashkive dhe menaxhimi jo i mirë i mbledhjes së të ardhurave dhe planifikimit të shpenzimeve ka krijuar këto problematika në stokun e detyrimeve./ MONITOR