Kina thyen heshtjen 40 vjeçare, lëshon papritur raketa balistike ndërkontinentale në Paqësor

Kina ka kryer një test të rrallë të një rakete balistike ndërkontinentale të pajisur me një kokë lufte në Oqeanin Paqësor. Lëvizjen që bëhet beftas dhe vjen pas 44 vitesh qetësi nga Pekini, e njoftoi vetë Ministria e Mbrojtjes e Kinës, e cila rrallë njofton publikisht testime të tilla.

“Forca Raketore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore (ushtria kineze) lëshoi me sukses më 25 shtator në orën 08:44 në det të hapur në Oqeanin Paqësor një raketë balistike ndërkontinentale që mbante një kokë lufte stërvitore pa ngarkesë. Ajo ra pikërisht në zonën e paracaktuar detare. Kjo lëshim i raketës është pjesë e programit të rregullt vjetor të trajnimit të Forcave Raketore, është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe praktikat ndërkombëtare dhe nuk synon një vend apo objektiv të caktuar”, tha Ministria e Mbrojtjes e Kinës.

Pekini nuk kishte kryer një test ICBM të një shkalle të tillë që nga viti 1980, ndaj lëshimi i kësaj rakete ka shkaktuar reagime të ashpra nga vendet e tjera të rajonit.

Zëdhënësi i qeverisë japoneze Yoshimasa Hayashi tha se nuk kishte “asnjë njoftim paraprak nga pala kineze” dhe shprehu “shqetësim serioz” për testin, ndërsa Zelanda e Re e cilësoi një “zhvillim të padëshiruar dhe shqetësues”.

Megjithëse nuk ka asnjë lidhje me çështjet aktuale, testimi i kësaj rakete vjen në një sfond të rivalitetit kino-amerikan në Paqësor, tensioneve midis Manilës dhe Pekinit në Detin e Kinës Jugore dhe armiqësisë midis autoriteteve kineze dhe autoriteteve në Tajvan.

Pekini nuk ka publikuar detaje se ku është rrëzuar raketa, ndërsa Ministria e Mbrojtjes nuk specifikoi nëse ajo është lëshuar nga një nëndetëse apo nga toka.

Raketat balistike ndërkontinentale janë ndër armët më të fuqishme në botë dhe mund të mbajnë koka bërthamore shkatërruese.

Testi dëshmon për modernizimin e vazhdueshëm bërthamor të Kinës, i cili po manifestohet në nevojat e reja të testimit. Sipas një raporti të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes të publikuar në tetor 2023, Kina po zhvillon me shpejtësi rezervat e saj të armëve bërthamore.

Raporti po ashtu nënvizon se gjigandi aziatik mund të ketë më shumë se 1000 koka bërthamore operacionale deri në vitin 2030. Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm për vitin 2023, SHBA-ja ka 3708 koka bërthamore dhe Rusia 4489.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com