Arben Lamçe, i arrestuar në Kosovë pas operacionit të koduar “Gordonët” dyshohet se është i përfshirë në të paktën 5 vrasje të porositura nga një prej grupeve më të rrezikshme në Elbasan. I strehuar në një apartament në Prishtinë, Lamçja, që njihet si Arben Dobrova, por që mban si identitet tjetër edhe emrin Durim Plaku, mendoi se kishte arritur t’i shpëtonte prangave të operacionit ‘’Plumbi i Artë’’ që në vitin 2022, por u kap në një bar pranë banesës.
Ai dyshohet si pjesë aktive e grupit që drejtohej nga vëllezërit Çopja në Dubai. Lamçe dyshohet i përfshirë në të paktën 5 vrasje të porositura nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Sipas prokurorisë së posaçme vëllezërit Çopja dhe më konkretisht Hajdar Çopja i njohur dhe si “Dari i Elbasanit” kishte porositur në kohë të ndryshme 22 atentate dhe për të mbaruar punë përdorte Lamçen.
6 prej tyre përfunduan me ekzekutime, përfshirë masakrën e trefishtë në Bradashesh 29 dhjetorin e vitit 2018. Aty mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibejt, 34 vjeçari Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk. Për eleminimin e vëllait tjetër, i arrestuar tashmë, Erion Alibejt, u sponsorizuan 4 atentate, por që nuk u arritën të finalizoheshin ndërsa grupi i Çopjave ka tentuar dhe dy herë të eliminojë Nuredin Dumanin, të penduarin e drejtësisë.
Hajdar Çopja, i cili njihet dhe me mbiemrat Bako dhe Hysa, u shoqërua në Dubai pasi ishte i dënuar me 4 vjet burgim për plagosje në vitin 2017 në Shqipëri, por që në Emiratet e Bashkuara ka fituar lirinë.
“Dari i Elbasanit” nuk është i njohur vetëm për plagosje, pasi ai doli edhe në dosjen e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani si një nga porositësit për eliminimin e disa prej eksponentëve kriminalë në qytetin e Elbasanit.
Nga dosja hetimore rezultonte se Dumani ka dëshmuar se grupi i Erjon Alibejt, i njohur dhe si Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Bakos i thirrur shkurtimisht “Dari” ishin në garë për të eliminuar njëri-tjetrin. Vetë Dumani në atë kohë pranoi para prokurorisë se kishte mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan. I penduari i drejtësisë rrëfeu se edhe vrasja e Arjan Spahiut në Belgjikë ishte financuar nga vëllezërit Çopja por që nuk ishte kryer prej tij.
/a.r