Një grup kongresmenësh amerikanë i kanë bërë thirrje Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin, që të lejojë Ukrainën të sulmojë territorin rus me armë amerikane dhe të vijojë të rrisë ndihmën ushtarake për Kievin.
Letër-kërkesa, e cila u publikua të martën, pasoi një takim midis anëtarëve të Kongresit dhe një grupi parlamentarësh ukrainas që vizituan Uashingtonin javën e kaluar.
Kërkesa kryesore nga autorët e dokumentit ishte që Austin të autorizojë “përdorimin e armëve të ofruara nga SHBA për të goditur objektivat strategjikë brenda territorit rus në rrethana të caktuara”.
Ajo vjen vetëm një javë pasi zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, Sabrina Singh përsëriti qëndrimin e Pentagonit se armët amerikane mund të përdoren vetëm në betejën për të “rifituar territorin sovran të Ukrainës”, por jo për të synuar Rusinë.
Por, ligjvënësit, përfshirë kryetarin e Komisionit të Përhershëm të Përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën, Mike Turner, kongresmenin Jim Himes dhe ish-presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s Gerry Connolly, argumentuan se “ukrainasit nuk kanë qenë në gjendje të mbrohen për shkak të politikave aktuale të administratës Biden”.
“Është thelbësore që komandantëve të Kievit t’u sigurohet aftësia për të kryer një spektër të plotë operacionesh të nevojshme për t’iu përgjigjur Moskës”, thuhet në letrën e tyre.
Autorët e tij thanë gjithashtu se deputetët ukrainas u kanë rrëfyer se Kievit i duhen deri në 7 sisteme shtesë “Patriot”, të prodhuara nga SHBA, për të kapur raketat dhe dronët rusë.
Sipas ligjvënësve, SHBA duhet të sigurojë trajnime për më shumë pilotë ukrainas për të fluturuar avionët luftarakë F-16, të cilët i ishin premtuar Kievit nga mbështetësit e saj perëndimorë vitin e kaluar, por ende nuk kanë mbërritur në Ukrainë.
Një thirrje të ngjashme me atë të ligjvënësve amerikanë e ka bërë edhe kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Aleksandr Litvinenko. Ai i tha Financial Times se administrata e Biden duhet të heqë ndalimin të cilit i referohet si “absolutisht i padrejtë” për sulmet brenda territorit rus me armë të furnizuara nga SHBA.
“Ukraina mund të frenojë përparimet e Moskës përgjatë vijës së frontit nëse do të ishte në gjendje të godiste depot e armëve, qendrat logjistike dhe rafineritë e naftës thellë brenda Rusisë me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi dhe armatime të tjera”, deklaroi Litvinenko, i cili zëvendësoi Aleksey Danilovin në detyrë në mars./m.j