“Këtu nuk prodhohet asnjë bravë apo lavaman”, Shehi tek ‘Ekonomia’: Të krijohen politika industriale në Shqipëri

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë të hartojë politika industriale për vendin.

Kërkesën e tij Shehi e bëri gjatë fjalës në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ku tha se zhvillimi i disa sektorëve bazikë të industrisë është i domosdoshëm, pasi sipas tij, në Shqipëri nuk prodhohet asgjë.

Ai shtoi se qeveria e ka vënë fokusin vetëm te turizmi, sektor i cili sipas tij, ka rëndësinë e vetë, por nuk mund t’i nxjerrë gjithë shqiptarët nga varfëria.

“Tani të vijmë te Ministria e Ekonomisë, e cila bën politikat. Propozimi im është a do të bëjmë ndonjë politikë industriale ne në këtë vend? Se mbetëm vetëm te turizmi, tani po hyjmë te kishat e vjetra, do zbresim te lumenjtë. Do ta shpëtojë kjo Shqipërinë tonë? Mirëpo nuk është serioze kjo ore, sepse turizmi po përthan edhe ato resurse financiare.

Do kërkoja nga Ministria një plan konkret kush janë disa fusha që mund të investohet. Këtu janë ndërtuar miliona metra katrorë në Shqipëri. Këtu nuk ka një fabrikë pllakash, apo lavamanësh. Këtu nuk bëjmë asnjë bravë. Asnjë menteshë. Po kaq gjë mund ta bëjë ky vend. Këtu materialin e ndërtimit e shesim si gur. Edhe në kohën e Enver Hoxhës bëheshin kaq gjëra.

Po agro-biznesi a duhet mbështetur, a duhet bërë ndonjë gjë për këtë punë? Eksportojmë 800 mijë tonë naftë me bote. Dhe importojmë 800 mijë të tjera për automjetet tona. Ne do ikim ore, por Shqipëria do të rrijë këtu bashkë me fëmijët tanë”, tha Shehi.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com