Gjykata e Posaçme e Apelit do të shprehet nesër në orën 10:30 mbi kërkesën e dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezit për shfuqizim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ankimimi në Apel u shqyrtua ditën e sotme, ku Malltezi u përfaqësua nga avokatët e tij dhe në përfundim gjykata shtyu seancën për shpalljen e vendimit.
Dhëndri i ish-kryeministit Berisha qëndron në izolim shtëpiak prej nëntorit 2023, teksa për një kohë të shkurtër qëndroi edhe në qelitë e paraburgimit.
Aktualisht ai është marrë i pandehur në dosjen “Partizani” për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “pastrimit të parave”.
Për të njëjtën dosje, pra për dosjen ‘Partizani’ është i akuzuar nga SPAK edhe vetë kryedemokrati Sali Berisha, ndaj të cilit aktualisht është vendosur masa ‘detyrim paraqitje’.