Ende nuk është zbardhur motivi i vërtetë i vrasjes së Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit, ndërsa bashkëshortja e tij në hetim dhe 3 fëmijët e arrestuar i qëndrojnë fort motivit të dhunës në familje dhe vendimit për të fejuar pa dëshirë vajzën 19-vjeçare.
Por vendimi për ta fejuar pa dëshirë është hedhur poshtë nga familja që kishte shfaqur interes për këtë krushqi. Madje dhe Blerina, nëna e vajzës, ashtu si babai i vrarë, kanë pasur të njëjtin qëndrim në lidhje me këtë mundësi fejese.
Ashtu si në dëshminë e dhënë në polici, edhe në një komunikim jashtë kamerave, për gazetaren e Top Channel, Vali Qyrfyçi, familja që kishte menduar për një lidhje krushqie me familjen e viktimës hedh poshtë pretendimin se Pëllumbi donte ta fejonte vajzën pa dëshirë.
Enxheni, e cila u bë shkas për të kërkuar dorën e Hygertës për vëllain e burrit të saj, tregon se babai i Hygertës ishte një njeri i dashur dhe se nuk donte ta fejonte vajzën e tij, për shkak se po donte të vazhdonte univeristetin.
“Ai e kishte dritën e syve. Bënte gjithçka për të. I donte fëmijët e tij, familjen. Çdo ditë e dërgonte me makinën e vet vajzën deri në Durrës që të merrte autobusin e të shkonte në Tiranë se ishte studente e gjuhëve të huaja. Duke e njohur e krijuar respekt për të, se vinte çdo ditë tek lokali, rreth 4 muaj më parë a diçka më shumë, i thashë për të fejuar vajzën me kunatin tim që jeton në Itali. Më tha që vajza kishte filluar shkollën për gjuhët e huaja në Tiranë dhe s’bëhej ajo punë. Megjithatë nuk ma preu shkurt, po më tha: ‘Këto janë punë grash. Shko e fol njëherë me gruan.’ Shkova dhe më priti shumë mirë, por dhe ajo më tha të njëjtën gjë dhe u mbyll ajo punë. Kaq qe”, shprehet Enxheni.