Një 35-vjeçar në Maminas i identifikuar si Eduart Hoxha është arrestuar nga policia, pasi kërcënonte babain e tij se do e vriste me sopatë dhe thikë. Blutë në një njoftim për mediat, bëjnë me dije se ata janë njoftuar në rrugë operative se një shtetas po dhunohej nga djali i tij. Pasi kanë shkuar në vendngjarje, policia është hasur me rezistencën e të riut.
35-vjeçari u mbyll në banesën e tij bashkë me mjetin prerës dhe në këto kushte ata kanë njoftuar RENEA-n, të cilët kanë ndërhyrë me forcë në banesë, duke bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të Eduart Hoxhës.
“Shërbimet e Policisë morën njoftim se në fshatin Rubjek, Maminas, një shtetas po dhunohej dhe po kërcënohej me mjete prerëse (sopatë dhe thikë), nga djali i tij.
Pas informacionit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresen e dhënë ku kanë bërë të mundur parandalimin e dhunës dhe kanë nxjerrë nga banesa shtetasin e dhunuar.
Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e 35-vjeçarit që ushtronte dhunë ndaj babait të tij, ai ka kundërshtuar me dhunë shërbimet e Policisë lokale dhe është mbyllur në banesë, bashkë me mjetet prerëse.
Ndodhur në këto kushte, në ndihmë të Policisë kanë shkuar Forcat e RENEA-s.
Pas disa orësh negociata, Forcat RENEA kanë ndërhyrë me forcë në banesë, duke bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit E. H., 35 vjeç, banues në Rubjek”, njofton policia.
Blutë bëjnë me dije se sekuestruan edhe mjetet prerëse, sopatën dhe thikën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.\
/a.r