Prej disa ditësh temë e mediave ndërkombëtare janë bërë deklaratat e Donald Trump për Kanalin e Panamasë, Groenlandën dhe emërtimin e Gjirit të Meksikës në Gjiri i Amerikës. Groenlanda ndodhet matanë oqeanit, por për Europën bën interes. Arsyeja është se edhe pse larg kontinentit të vjetër, Groenlanda është territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës. Kështu që deklaratat e Trump kanë marrë reagime të shumta nga Europa. Këto ditë ju kemi përcjellë zhvillimet e fundit nga kjo arenë e re e përplasjeve, ndërsa sot do të ndalemi te Danimarka.
Pse ky shtet nuk po e luan ende “lojën” e Trump dhe çfarë fshihet nga pas?
Janari i zymtë i Kopenhagenit i përshtatet totalisht gjendjes së politikanëve danezë, por jo vetëm, edhe biznesmenëve. “Ne e marrim çështjen shumë, shumë seriozisht”, tha ministri i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen pas kërcënimit të Donald Trump për të marrë Groenlandën dhe se do ndëshkojë Danimarkën me tarifa të larta nëse e pengon rrugës.
Por ai shtoi diçka. “Qeveria [daneze] nuk ka për qëllim çfarëdo qoftë, që të përshkallëzojë një luftë fjalësh”, tha ministri danez referuar deklaratave të presidentit të ardhshëm amerikan.
Kryeministrja Mette Frederiksen uli tensionet sa i përket sugjerimit të Trump se SHBA-ja mund të përdorë forcën ushtarake për të pushtuar Groenlandën. “Nuk kam fantazinë as ta imagjinoj që puna do të shkojë deri këtu”, tha ajo për Televizionin Danez. Edhe CEO i Industrisë Daneze, Lars Sandahl Sorensen, ka bërë thirrje për qetësi. “Ka çdo arsye për të qëndruar të qetë… askujt nuk i intereson një luftë tregtare”, u shpreh ai.
Por pas këtyre skenave diplomatike, duket se në prapaskenë gjërat “ziejnë”. Në Kopenhagen gjatë gjithë kësaj jave janë zhvilluar [dhe do të zhvillohen] takime të ndryshme në lidhje me shqetësimin që kanë shkaktuar deklaratat e Trump. Drejt kryeqytetit danez ka shkuar edhe kryeministri i Groenlandës, Mute Egede i cili ka takuar kryeministren dhe Mbretin Frederikun X të mërkurën. Të enjten mbrëma kryetarët e partive të të gjithë spektrit politik u mblodhën në një takim të jashtëzakonshëm me Mette Frederiksen në parlamentin e Danimarkës.
Përballë asaj që shumë në Danimarkë e quajnë si “provokim” i Trump, Frederiksen është përpjekur që të mbajë një ton më të qetë, gati pajtues, duke i kujtuar qytetarëve të saj se SHBA-ja në fakt është partneri më i ngushtë i Danimarkës. Sipas saj është e natyrshme që SHBA-ja shqetësohet për Arktikun dhe Groenlandën. Por sipas saj, çdo vendim për të ardhmen e Groenlandës i takon popullit të saj. “Groenlanda i takon banorëve të saj dhe janë ata që mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre”, tha ajo.
Qasja e saj e kujdesshme është e dyfishtë.
Së pari, Frederiksen i intereson që të shmangë përshkallëzimin e situatës. Ajo është djegur një herë më parë. Bëhet fjalë për vitin 2019, kur Trump anuloi një udhëtim në Danimarkë pasi ajo tha se propozimi për të blerë Groenlandën ishte “absurd”. “Asokohe [Trump-it] i kishte ngelur edhe një vit në mandatin e tij, ndërsa më pas gjërat u kthyen në normalitet. Ndoshta ky është normaliteti i ri”, i tha gazetari i politikës Erik Holstein BBC-së.
Por komentet e Frederiksen tregojnë gjithashtu që danezët nuk duhet të ngatërrohen me punët e brendshme të Groenlandës, një territor autonom me parlamentin e vet dhe me popullin që po shkon drejt pavarësisë. Ndryshe mendon opozita daneze. “Ajo duhet të kishte qenë më e qartë në refuzimin e idesë. Ky nivel mosrespekti që vjen nga presidenti amerikan drejt një aleati dhe miku shumë, shumë besnik është për t’u mbajtur mend”, tha deputeti opozitar danez Rasmus Jarlov, edhe pse ai pranoi për BBC se forca e Trump “i ka surprizuar të gjithë”. Deputeti konservator beson se deklaratat e kryeministres daneze se vetëm Groenlanda përcakton të ardhmen e vet vendos shumë presion mbi banorët e ishullit. “Do të ishte më e zgjuar të qëndronte pas Groenlandës dhe thjesht të qartësonte se Danimarka nuk do [kontrollin nga SHBA]”, tha Jarlov.
Pra siç mund të kuptojmë çështja e Groenlandës është delikate për Danimarkën. Kujtojmë se kryeministrja e vendit vetëm së fundi kërkoi falje për kryerjen e një eksperimenti social në vitet 1950, ku fëmijët eskimezë inuitë, largoheshin nga familjet e tyre për t’u riedukuar si “danezë”. Javën e kaluar, kryeministri i Groenlandës tha se territori duhet ta lirojë veten nga “zinxhirët e kolonializmit”. Duke folur në këtë mënyrë ai ngjall ndjenjat nacionaliste të popullit të tij, të nxitura nga gjeneratat më të reja të Groenlandës dhe nga kultura indigjene apo historia e inuitëve. Shumica e analistëve presin një referendum për pavarësinë në të ardhmen. E teksa për shumë kjo do të shikohej si fitore, për të tjerë do të thotë dhimbje koke, pasi 60% e ekonomisë së Groenlandës varet nga Danimarka.
“Një Groenlandë e pavarur do duhet të bëjë zgjedhje”, tha deputeti i majtë danez nga radhët e Partisë Jeshile, Karsten Honge. Ai i frikësohet faktit se opsioni i tij për një marrëveshje të një lloji të ri CommonWealth-i “bazuar në barazi dhe demokraci” ka pak gjasa të dalë në dritë.
Kryeqyteti i Groenlandës, Nuuk, vetëqeveriset por varet nga Kopenhageni për menaxhimin e valutës së saj, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mbrojtjes, si dhe subvencioneve. “Groenlanda sot ka më shumë pavarësi seç ka Danimarka nga BE-ja”, tha deputeti Jarlov.
E siç e përmendëm më lart, teksa Mette Frederiksen duhet të ruajë balancat për t’u përgjigjur pa ofenduar as Groenlandën e as SHBA-në, duket se komentet më të ashpra ndaj Trump kanë ardhur nga jashtë kufijve të Danimarkës.
“Parimi i paprekshmërisë së kufijve aplikohet për çdo shtet, nuk ka rëndësi nëse është shumë i vogël apo shumë i fortë”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz. Ndërsa ministri i Jashtëm i Francës Jean-Noel Barrot tha se BE-ja nuk do të lejojë kombet e tjera të sulmojnë kufijtë e saj sovranë. Komentet e tyre tregojnë nga ana tjetër shqetësimin e thellë brenda BE-së se si do duhet të ballafaqohen me presidencën e ardhshme të Trump.
Sektori tregtar i Danimarkës është përfshirë nga nervozizmi i thellë pasi Trump paralajmëroi për tarifa shumë të larta nëse refuzohet t’i jepet Groenlanda SHBA-së. Një studim i vitit 2024 nga Industria Daneze tregoi se PBB-ja e Danimarkës do të binte me tre pikë nëse SHBA-ja vendos tarifa 10% mbi importet nga BE-ja drejt Amerikës si pjesë e një lufte tregtare.
Teksa inaugurimi i Trump afron, danezët po përgatiten që të përballen me stuhinë. Ka edhe nga ata që kanë shpresë se Trump do ta lëvizë së shpejti fokusin e tij drejt partnerëve të tjerë të BE-së dhe se çështja e Groenlandës mund të futet edhe një herë në sirtar. Por shqetësimi qëndron “gjallë” kur kujtohet se Trump nuk përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes ushtarake për të pushtuar Groenlandën.
Karsten Honge tha se Danimarka do duhet të vuajë çfarëdo vendimi që do të marrë SHBA-ja. Por me shkaka ai thotë:
“Atyre u nevojitet vetëm të dërgojnë një anije të vogël luftarake drejt bregut të Groenlandës dhe t’i dërgojnë një letër Danimarkës. Fjalia e fundit do të ishte: Epo Danimarkë, çfarë do të bësh rreth kësaj? Ky është realiteti i ri, me respekt Trump”.
Shkrim nga BBC