Në rubrikën “Opinion” në News24 është debatuar lidhur me komisionin hetimor për konçensionet në shëndetësi, ku gjatë dy ditëve të fundit është debatuar mes pozitës dhe opozitës lidhur me mënyrën se si ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, do të dëshmonte para komisionit.
Gazetari Flogert Muça tha se opozitës nuk i ka interesuar të zbardhë asgjë për sterilizimin, duke e akuzuar për lojë.
Ndërkohë deputeti Saimir Korreshi tha se komisioni është bllokuar nga mazhoranca. “Ka rënë rendi Kushtetues”, tha Korreshi.
Debati:
Flogert Muça: Politika është një lojë e madhe ku secili bën atë lojën e tij. Por nuk mund të vijë z. Korreshi të bëjë sikur është qelibar dhe pastaj na thotë që 90% e gjërave bëhen poshtë tavolinës. E dyta tregon se keni një kompleks, duke i thënë Beqajt mos i nxirr ato të 2009-ës se dalim keq ne. Ju shkelni rregulloren e Kuvendit, ju nisni flisni për procedura, por vetëm për atë nuk flisni. Tani ju i kërkoni Beqajt si të flasë. Po slidet nuk janë molotovë, ju keni futur në Kuvend edhe molotovë. Këtyre nuk u intereson fare të zbardhin asgjë për sterilizimin, opozita po bën lojë aty. Këta e dinë që nëse do të bëhet një zbardhje të aferave do e bëjë SPAK, por këto nuk e njohin SPAK. Atje u bë tallava me Albanën, jo komision hetimor. Ku keni parë ju që Kryetarja e një komisioni ti thotë një dëshmitari hajdut? Po ku keni parë ju që kryetarja e komisionit ti thotë kolegut të saj hajdut?
Saimir Korreshi: Ato slidet që donte të paraqiste Beqaj nuk ishin objekt i hetimit parlamentar. Unë nuk i kam thënë SPAK ndonjëherë organizatë kriminale dhe që në fillim kemi marrë miratimin e Prokurorisë lidhur me dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë. Që ta dish, socialistët e kishin ndarë mendjen që s’donin ti jepnin jetëgjatësi këtij komisioni hetimor. Nuk i dhanë kohë as komisionit për të hartuar dhe miratuar Komisionin. Ne na duhet dëshmia e Ilir Beqjas, ashtu sikundër na duhet dëshmia e të gjithë aktorëve pjesëmarrës. Mazhoranca e ka bllokuar këtë komision, praktikisht ka rënë rendi Kushtetues. Në asnjë vend të Botës nuk ndodh që thërritet Kryeministri dhe nuk paraqitet, ai e di sikur e ka bahçen e vet.
Shpendi Gashi: Nuk kam pritur asnjë rezultat nga një institucion shterpë siç është kthyer Kuvendi i Shqipërisë. Qoftë edhe sikur një person të jetë i dënuar, bie nocioni i parlamentarizmit, intelektualizmit. Për çfarë më duhet mua të dëgjoj Ilir Beqaj, kur e di që politikat shëndetësore do të jenë aty sikundër janë, pra nuk ndryshon gjendja. Këtu çfarë nuk blihet me para, blihet me më shumë para.