“Kemi privilegjin e madh të jetojmë në liri, paqe dhe demokraci”/ Gjermania feston sot Ditën e Bashkimit

3 tetorin e vitit 1990 hyri në fuqi Traktati i Bashkimit mes ish-Republikës Demokratike Gjermane dhe RFGJ-së.

Kremtimet e sivjetshme në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë mbahen në Shverin (Schwerin), në kryeqytetin e landit lindor Mecklenburg-Pommerani, drejtuesja e të cilit Manuela Schwesig deklaroi se sot “po festojnë me të gjithë Gjermaninë”, ndërsa theksoi privilegjin e madh që sot, gjermanët jetojnë në liri, paqe dhe demokraci”, pasi për gati gjysmë shekulli Gjermania Lindore dhe ajo Perëndimore ishin të ndara.

E shpallur festë kombëtare, kjo ditë megjithatë, nuk i gjen ndasitë të sheshuara krejtësisht. 35 vjet pas rënies së Murit të Berlinit mes landeve lindore dhe perëndimore ka ende dallime politike, ekonomike dhe sociale, edhe pse dinamika e përgjithshme e rritjes është pozitive.

Shumica e njerëzve në lindje e vlerësojnë gjendjen e tyre ekonomike si të mirë, por ankohen se nuk ndihen të kuptuar siç duhet dhe sa duhet nga politika.

Gjermano-lindorët rezulton të kenë më pak besim tek institucionet demokratike sesa gjermanët në Perëndim dhe në landet e reja ka më pak njerëz që janë të kënaqur me sistemin politik të Republikës Federale të Gjermanisë. Këtë e treguan edhe zgjedhjet në Tyringi, Saksoni dhe Brandenburg, në të cilat partia ekstremiste e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) fitoi 29 deri në 33 për qind të votave, ndërsa partia Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) fitoi 12 deri 14 për qind të tyre.

Papunësia në lindje vazhdon të jetë ende më e lartë se në perëndim – por shumë të rinj që dikur u larguan për të punuar në landet perëndimore, së fundi po rikthehen në landet lindore.

Përfaqësuesi i qeverisë për Gjermaninë Lindore, Carsten Schneider, i cili është nga landi lindor i Tyringisë, ka analizuar së bashku me autorë të shumtë të shquar zhvillimin ekonomik dhe social të landeve lindore, në raportin e tij për gjendjen në lindje, dilte në përfundimin se Gjermania është e lirë, e bashkuar dhe e papërfunduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com