Vijon zhvlerësimi i pazakontë i monedhave të huaja, kryesisht i Euros.
Të gjitha valutat e huaja kanë përjetuar rënie dramatike përballë monedhës kombëtare. Sipas kursit të Bankës Qendrore, euro këmbehet 102.43 lekë, duke humbur rreth 1.5 pikë nga java e kaluar.
Ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit euro-lek që prej datës 2 gusht.
Rënia e euros ka ndikuar edhe tek valutat e tjera që qarkullojnë në tregun shqiptar. Dollari amerikan zbriti në nivelin e 93.9 lekëve, me 1.7 pikë të humbura në kursin e këmbimit. Ndërkohë, paundi britanik ka zbritur në 118 lekë, niveli më i ulët që prej datës 25 korrik.
Nëntori është muaj i pazakontë për luhatje të tilla, por rënia e shpejtë në dy javët e fundit, mendohet se vjen nga qarkullim i madh i monedhës europiane.
Oferta e euros dhe kërkesa për Lekë në muajt e fundit vlerësohet se është ndikuar edhe nga një tendencë e konvertimit në monedhën vendase të kredive të mbajtura në valutë të huaj.
Për shkak të kursit të ulët të këmbimit të euros dhe normave më të ulëta të interesit për kreditë në lekë, shumë huamarrës kanë shfrytëzuar rastin për të konvertuar valutën e kredisë së tyre.