Kapen “skifterët” e Vlorës, me armë imituese vodhën xhiron ditore të karburantit

Policia e Vlorës ka vënë në pranga tre të rinj, të cilët akuzohen se vodhën xhiron ditore të një karburanti nën kërcënimin e një arme pistoletë imituese.

Tre autorët e vjedhjes para se të kryenin “aksionin” në karburant vodhën gjithashtu para nga dy shtetas, duke i frikësuar dhe kërcënuar me armën imituese.

Hajdutët u kapën në lagjen “10 Korriku”. Ata janë të moshave 20 vjeç, 16-vjeç dhe një 17-vjeç.

Policia bën me dije se ka skuestruar armën imituese pistoletë me silenciator, shumën e parave dhe një aparat celular, të dyshuar të vjedhura, një mjet prerës (thikë) dhe automjeti që autorët kanë përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, pas marrjes së njoftimit, në mesnatë, se tre persona të paidentifikuar, nën kërcënimin e një arme imituese pistoletë me silenciator, i kishin vjedhur një shumë parash (portofolin) dhe një aparat celular, dy shtetasve dhe më pas ishin larguar, duke shkuar po me këtë send, në një pikë karburanti, dhe nën kërcenimin e kësaj arme imituese, kishin vjedhur xhiron ditore, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Storm 16”, për identifikimin dhe kapjen e tyre. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë imituese pistoletë me silenciator, një shumë parash, portofoli dhe aparati celular, të dyshuar të vjedhura, një mjet prerës (thikë), 2 maska mjekësore dhe automjeti tip “Audi” që autorët kanë përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes”, njofton policia.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i tre shtetasve dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com