Dy persona u arrestuan nga policia e Shkodrës, ndërsa u sekuestruan 1100 fara cannabisi, 1 armë gjahu, 20 fishekë, 2 radio si të Policisë dhe 1 automjet. Operacioni i koduar “Gjurmimi” përfundoi me arrestimin e shtetasve, Agron Doçaj dhe Liridon Gjoka.
Njoftimi:
Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”.
Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen “Vasil Shanto”, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit A. D., 34 vjeç dhe L. Gj., 32 vjeç.
Nga kontrollet në automjetin që drejtonte 32-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi A. D., shërbimet e Policisë gjetën 1100 fara cannabisi që posedoheshin nga drejtuesi i automjetit, me qëllim shitjen.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e pasagjerit që ndodhej në automjetin ku u gjetën farat e cannabisit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë gjahu, 20 fishekë dhe 2 radio si të Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
/f.s