Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner ka reaguar lidhur me tensionet e zhvilluara në seancën e fundit në Kuvend.
Ai u shpreh sot se, po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë.
“Qytetarët e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike. Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti”, nënvizoi ai.
Bergner shton: “U bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve”.