Një 48-vjeçar në fshatin Akërni të Vlorës është arrestuar pasi ka kanosur gruan e tij me kallashnikov dhe ka qëlluar në ajër, duke rrezikuar jetën e banorëve të fshatit.
Në pranga u vu shtetasi me inicialet B.I., të cilit, përveç armës, iu gjet edhe një sasi kanabisi.
Njoftimi i policisë:
Kanosi me armë zjarri kallashnikov bashkëshorten e tij dhe vuri në rrezik edhe banorët e fshatit duke qëlluar me armën në ajër, vihet në pranga 48-vjeçari.
Në momentit që 48-vjeçari vuri re shërbimet e Policisë tentoi të largohej me automjet, por u bllokua dhe u vu në pranga nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov dhe automjeti me të cilin tentoi të largohej, së bashku me një sasi lënde narkotike cannabis dhe fishekë luftarakë, të cilat u gjetën të fshehura në stanin e 48-vjeçarit.
Pas marrjes së njoftimit në orët e mëngjesit se një shtetas po kërcënonte për jetën bashkëshorten e tij duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në fshatin Akërni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” organizuan menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, u finalizua operacioni policor “Strike 22”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë, në tentativë për t’u larguar me automjetin e tij, shtetasi B. I., 48 vjeç, banues në fshatin Akërni, Vlorë.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit kallashnikov me të cilën ai kishte kërcënuar bashkëshorten e tij.
Në vijim të kontrollit në stanin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu një sasi lënde narkotike cannabis dhe municion luftarak.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/a.r