Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi, në deklaratën për mediat, u pyet nga gazetarët për kandidaturën e Gjin Gjonit për PD-në e Rithemelimit, i cili kur ishte gjyqtar, nuk iu nënshtrua vettingut.
Bardhi theksoi se nuk është në dijeni të rastit. Ai shtoi se është Komisioni Zgjedhor në PD që do të vendosë përfundimisht për kandidaturat, nëse janë apo jo të denjë për të përfaqësuar qytetarët.
“Kryesia e partisë ka bërë një miratim të vetëkandidimeve apo propozimeve që kanë ardhur nga degët e partive. Është Komisioni Zgjedhor në PD që do të bëjë miratimin final të atyre që do të futen në garë. Këtë rast nuk e njoh, nuk është çështje e grupit parlamentar të PD-së, për më shumë info mund të merrni pranë Sekretariatit të Partisë Demokratike”, tha Bardhi.
I pyetur për investimin në ishullin e Sazanit nga dhëndri i Donald Trump, Bardhi theksoi se PD nuk është kundër investimeve, por se ata duhet të jenë transparente dhe të bëhen me garë.
“Në parim në mbështesim investimet e huaja, por duhet që çdo investim të miratohet me garë të hapur dhe duke bërë analizë të mirfilltë, për të vërejtur se çfarë përfitojnë qytetarët shqiptarë. Ne mirëpresim çdo investitor të investojë në Shqipëri, por projekti duhet të jetë transparent dhe të jetë me garë. Kështu mund të dilet në përfundimin se cila kompani është më e volitshme të investojë”, u shpreh Bardhi.
/f.s