GJKKO pranon kërkesën e mbrojtësve të Erzen Breçanit për të caktuar ekspert mjeko ligjor për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të tij, ndërsa caktoi datën 12 mars si afat limit për vlerësimin e gjendjes. Pretendimet e mbrojtjes janë se Breçani, për shkak të fobisë nga ambientet e mbyllura, ka shfaqur probleme me zemrën dhe qëndrimi në qeli mund t’i rrezikojë edhe jetën.
Avokatët e Breçanit, i cili akuzohet pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit, bashkë me 11 persona të tjerë, 5 të arrestuar, kërkojnë ndryshim të masës së sigurisë, ndërsa prej kohësh zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës ndodhet në spital.
Në 20 nëntor Prokuroria e Posaçme lëshoi 11 urdhër-arreste. Nga këto 5 u arrestuan; Erzen Breçani ish kryepolic në Tiranë, Dedan Gjoni shefi i krimeve në Komisariatin numër 6, Bujar Ajezi, Besmir Murati të cilët u lanë në burg nga GJKKO. Po ashtu në Spanjë u arrestua Ismail Zeneli, për të cilin kanë nisur procedurat për ekstradim.
Ndërkohë detyrim paraqitje, u caktua për Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit. Në kërkim janë Ervin Mata, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova dhe Eralbi Breçani, të akuzuar për trafik droge nga Amerika Latine drejt Europës.
SPAK ka nisur hetimin pasuror për të gjithë anëtarët e grupit kriminal, përfshi dhe këngëtaren Elvana Gjata e cila përmendet në dosje për përdorimin e llogarisë së saj nga Ervin Mata me qëllim transferimin e shumave deri në 500 mijë euro.
/f.s