Gazetari Milaim Zeka, foli mbrëmë për vrasjen e Liridona Ahmetajt nga burri i saj Naim Murseli, duke thënë se ky i fundit ishte këshilltar i Behgjet Pacollit dhe se e përdori për t’i marrë lekë, duke i kryer punë të pista.
“Pjesa dërrmuese e politikanëve në Kosovë, 90% prej tyre i kanë gratë të pashkolluara. Nuk i nxjerrin jashtë me ngrënë një darkë, në një restorant, nuk janë njerëz familjarë dhe kjo prodhon dhunë. Dhe thonë i kam dhënë. Çfarë i ke dhënë ti, një makinë?”, u shpreh Zeka në Top Channel.
Milaimi tregoi se Musreli e ka gënjyer Pacollin, duke i kërkuar lekë, ndërsa Liridona arriti të bëhej e pavarur ekonomikisht, ku po ashtu tregoi se katër vite më parë ka kërkuar divorc në një gjykatë në Suedi.
“Naim Murseli ka qenë këshilltar i Behgjet Pacollit. Naimi e ka gënjyer Behgjet Pacollin duke thënë se donte lek për t’u operuar në Suedi, si shtetas suedez që ishte, ndërkohë që në Suedi e ke shëndetësinë falas. Liridona u shkollua, u bë një femër e zonja, hapi një kompani të pastrimit dhe u bë e pavarur ekonomikisht. Në 2019, Liridona ka paraqitur një kërkesë për shkurorëzim me Naimin në Suedi. Është kërkesë zyrtare, gjykata ta kthen për t’u rimenduar, dhe nuk e kemi këtë shkresë”, tha gazetari.
Zeka tha se Niami nuk e ka deklaruar pasurinë e tij, ndërsa sipas tij i ka fituar në të zezë pasi ka blerë një vilë mijëra euro dhe se ka edhe një restorant në Suedi.
“Naimi ka qenë i papunë, në deklarimin e tij zyrtar për pasurinë ka deklaruar 0 lekë, vetëm një rrogë 15 euro në vit në Suedi që është baras me 0 lekë. Ai ka blerë vilë dhe ka pasur edhe restorant të Suedi me emrin e tij. Policia suedeze po merret me kërkimin se nga ka ardhur kjo pasuri. Ka mashtruar plot kompani”, u shpreh Zeka.