Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykimin ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, i arrestuar në mars të këtij viti për shpërdorim detyre. Goro akuzohet se ka tjetërsuar dy prona me sipërfaqe totale 10592 m2, të cilat ishin ngjitur me njëra tjetrën dhe që përfitues fundor i tokës ishte ish-deputeti socialist Artan Gaçi, i cili me kompaninë e tij kishte marrë leje për ndërtimin e një resorti.
Përveç akuzës së shpërdorimit të detyrës ndaj Jorgo Goros SPAK ngriti edhe akuzën për mosdeklarim pasurie.
Sipas prokurorisë, në dy episode Goro në bashkëpunim me Drejtorin e Menaxhimit dhe Mbrojtjes së tokës në Bashkinë Himarë, Jerasimo Bashi, kanë dërguar pranë zyrës së regjistrimit të pasurive në Vlorë një shkresë që përmbante të dhëna të rreme lidhur me një pasuri të patundshme.
Sipas SPAK, edhe pse e kanë pasur mjaft të lehtë të konfirmonin dokumentet, diçka e tillë nuk është bërë dhe kanë paraqitur në hipotekë një kërkesë për regjistrim pasurie me dokumente të falsifikuara. Në lidhje me episodin e dytë, nga hetimi rezultoi se të pandehurit kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike të pasurisë krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. Madje kësaj pasurie, të pandehurit i kishin dhënë një numër tëri krejtësisht në kapërcim të kompetencave që u njeh ligji.
/a.r