Kryeministri Edi Rama thotë se fëmijët shqiptarë duhet të mësojnë zanate, pasi e ardhmja është në Shqipëri dhe në 6 apo 7 vitet e ardhshme sipas tij, vendi ynë do të ofrojë shumë punë.
“Jepuni fëmijëve një zanat, kur ata të dalin në jetë pas 6-7 vjetësh, Shqipëria do jetë vendi që do ketë shumë kërkesë. Shumë, shumë kërkesë, dhe do ketë punë. Pastaj kush është më i zoti mund të bëjë më shumë. Kjo është baza kudo sot. Koha kur shkoje në Europë dhe merrje një pagë, dhe bëje 1000 gjëra, ka mbarruar në Europë, nuk është më.
Sot ata që jetojnë me një punë, me një zanat në Europë e kanë të pamundur të bëjnë gjë, përveçse të çojnë fëmijët në shkollë. Kam parë një kronikë që një djalë nga Gramshi thoshte e kam të pamundur të blej shtëpi. Nëse ma gjeni mua një djalë në Gjermani, Britani, Francë, që bën të njëjtën punë dhe nuk blen dot një shtëpi…ky është një problem në të gjithë Europën sot”, tha kryeministri Edi Rama nga qyteti i Fierit ku po diskuton buxhetin e 2024 me simpatizantët socialistë.