Nga Edison Ypi
Qysh fëmijë na ndante një hendek. Moshatarët nuk më thirrën kurrë në lojë.
Që 14 bëja plane për tu arratisur mes telave me gjëmba dhe qenve të kufirit. Herezi të tilla mendja e tyre nuk i kapte.
Un i respektoja mësuesit. Ata më quanin budalla.
Un i nderoja të moshuarit, klerikët, artistët, njerzit e shquar. Ata habiteshin dhe krruanin hundët.
Un u thosha se duhet ngritur ndonjëherë koka për të parë yjet. Ata shihnin njëritjetrin dhe ja plasnin të qeshurit.
Un nuk bëra kurrë asnjë kërkesë apo lutje për ndonjë favor, apo shtesë rroge, apo diçka tjetër që më përkiste. Ata gjithë kohën qurraviteshin dhe zhgërryheshin pas dyerve të shefave.
Un u flisja për Peter Weir, Woody Allen, Giuseppe Tornatore, Vittorio Gassman, për filmin e momentit, për Librin e fundit. Ata dërrdëllisnin për ca rrëmbythje që bënin këllira kinematografike me spiunllëqe, sabotime, atentate, komitete, plenume, dallavere, intriga, thashetheme.
Un e dija se ekzistonte, por s’e kisha idenë ku ndodhej Sigurimi i tyre i dashur. Ata e dinin ku ndodhej dhe e përdornin për të më spiunuar mua dhe njëritjetrin.
Qef të madh kishin të ngriheshin të flisnin në Mbledhjen e Kolektivit. Un pas çdo mbledhje villja zorrët.
Un sytë nga deti. Për mua gjith kohës “Len nga perëndon”. Ata sot e kësaj dite bëjnë duvanë e turkut dhe fusin garuzhden në kazanin e kaurrit.
Ata ishin të bindur se diktatura do ishte e përjetëshme . Un s’kisha asnjë dyshim se s’do vdisja para se diktatura të ngordhte.
Sot kur telat me gjëmba dhe qentë e kufirit janë harruar, dhe kur s’ka asnjë arsye për të ikur, por një mijë arësye për të ndejtur dhe një mijë punë për të bërë, pa pik turpi ikin rehat-rehat zhytur e mbytur në ndënjëset e buta të aeroplanave.
Un vdes të iki nëpër katunde sa më të thella, të takoj njerëz sa më të panjohur. Ata vëslulen si të çmendur Milano, Londër.
Për mua makina ësht një cop hekur plot me rraqe elektronike të panevojshme që më çon nëpër vende mahnitëse.
Për ata makina është një mjet plot me navigatorë dhe të tjera monstruozitete që i çon shëndosh e mirë në restorant.
Për të kursyer kohën, për të parë sa më tepër katunde dhe për të bërë sa më tepër muhabete me banorë lokalë anës udhës, un ha në makinë. Ata kurrë.
Ata bënin dhe bëjnë karrierë. Mua karriera ma kall datën.
Un adhuroj rregullin, rendin, disiplinën. Ata vetëm, kaosin, gjurulldinë, mjegullën.
Ata zhgarravisin dhe paguhen. Un që shkruaj duke bërë kujdes për çdo gërmë dhe për çdo tingull, s’marr asnjë kacidhe.
Kur diktaturat i shembi Regani dhe Gorbaçovi, ata uluritën duke u mburrur se Diktaturën e shembën çunat e oficerave dhe spiunat e Sigurimit.
Un që e kisha kaluar gjith jetën duke mos menduar asgjë tjetër përpos pastrimin e halesë nga kolera komuniste, nuk j’u afrova aspak, i lashë të punonin. Por doli që ata skan bërë asgjë tjetër veçse kanë vjedhur.
Un i ndihmova, i votova, i mbrojta. Hajdutat kurrë s’u kujtuan për mua. Mirë bënë.
Ata shajnë ambasadorët. Për mua kjo është çmenduri e papërfytyrueshme.
Unë besoj shkencën. Ata llumin e kafesë, konspiratorët.
Un femrën e dua si e ka bër Perëndia. Ata femrën e lakmojnë si e bën kirurgjia.
Sipas meje duhet punuar sa më tepër dhe sa më mirë. Sipas tyre duhet punuar sa më pak dhe sa më keq.
Un e di se Njeriu zbutet dhe zbukurohet përmes leximeve. Ata kujtojnë se këtë punë e kryen kafeneja.
Un e di se bota është sferike dhe ndodhet mes polit të veriut dhe polit rë jugut. Ata e dinë se bota është e rrafshët si truri i tyre dhe shtrihet nga Zogu Zi te Kthesa e Kamzës.
Un sapo arrij në Kosovë më mbushen sytë me lot. Ata Kosovën e kanë bërë poligon për interesa.
Këto dhe të tjera më shtynë ti shoh më nga afër rrënjët e mia.
Një turk që mban mbiemrin tim dhe më konsideron kushuri, thotë se stërgjyshët tanë ishin të parët turq që Sulltani i nisi në vendin e Shkabave.
Kur u thellova të di më tepër, mësova se të parët e të parëve të mi adhuronin Yllin e Davidit.
Pra unë jam Hebrè.