Izraeli zotohet të hakmerret ndaj sulmit të Iranit, reagon presidenti iranian: Do t’i përgjigjemi më fort

Kabineti i sigurisë i Izraelit tha se ishte dakord që përgjigja e Izraelit ndaj Iranit do të vinte pas koordinimit me Shtetet e Bashkuara.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se vendimi, i marrë mbrëmë, parashikon që Izraeli t’i përgjigjet me forcë sulmit raketor të Iranit, por fillimisht do të koordinohet me Shtetet e Bashkuara, ndërsa synon të godasë vendet strategjike në Iran.

“Vendimi parashikon një reagim me forcë ndaj sulmit raketor të Iranit, por fillimisht do të koordinohet me Shtetet e Bashkuara. Më pas do të përpiqet të godasë vendet strategjike në Iran”.

Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian. Duke folur në Doha të Katarit, ai tha se Irani nuk kërkon luftë, por do t’i japë një “përgjigje më të fortë”, nëse Izraeli hakmerret pas sulmit raketor të Iranit të martën.

Pezeshkian akuzoi Izraelin për nxitje të pasigurisë në rajon dhe dënoi ato që ai i përshkroi si krime historike.

“Na mbeti pa zgjidhje tjetër veçse të përgjigjeshim. Nëse Izraeli dëshiron të reagojë, ne do të kemi një përgjigje më të fortë, për këtë është angazhuar Republika Islamike”, tha Pezeshkian.

Disa orë pas sulmit të paprecedentë të së martës, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Irani bëri një gabim të madh dhe do të paguajë për të”.

Deklaratat e Pezeshkian vijnë pasi Irani lëshoi ​​rreth 200 raketa balistike të martën, për të cilat tha se ishte në përgjigje të vrasjeve të shefit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com