Të paktën 40 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në një kamp tende të caktuar si zonë humanitare në Khan Younis, në atë që ushtria izraelite tha se ishte një sulm në një qendër komanduese të Hamasit. Kjo u bë e ditur nga zyrtarët e Gazës, shkruan A2, sipas të cilëve, përveç viktimave në sulmin brenda kampit Al-Mawasi, u plagosën edhe 60 të tjerë dhe u transferuan në spitalet lokale.
Banorët dhe mjekët thanë se kampi i tendës në zonën al-Mawasi u godit nga të paktën katër raketa. Kampi është i mbushur me palestinezë të zhvendosur që kanë ikur në enklavë.
Shërbimi i emergjencës civile të Gazës tha se të paktën 20 tenda u dogjën dhe raketat shkaktuan kratere deri në nëntë metra të thellë. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga ministria e shëndetësisë e Gazës, e cila përpilon shifrat e viktimave.
“Ekipet tona janë ende duke i nxjerrë dëshmorët dhe të plagosurit nga zona e synuar. Duket si një masakër e re izraelite”, tha një zyrtar i emergjencës civile në Gaza, raporton A2.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se goditën terroristë të rëndësishëm të Hamasit, të cilët vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli të ngulitur brenda zonës humanitare në Khan Younis.
“Terroristët përparuan dhe kryen sulme terroriste kundër trupave të IDF dhe shtetit të Izraelit”, thuhet në deklaratë.
Hamasi mohoi se luftëtarët e tij ishin të pranishëm në skenën e sulmit, duke thënë në një deklaratë në Telegram: “Akuzat për praninë e luftëtarëve të rezistencës janë një gënjeshtër e hapur”.
/a.r