Izraeli refuzon planin amerikan, SHBA lëshon sërish raketa në Jemen kundër militantëve “piratë”

Toka dhe uji në Lindjen e Mesme nuk po qëndrojnë asnjëherë në qetësi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një seri sulmesh kundër rebelëve Houthi në Jemen, që pretendohet se mbështeten nga Irani.

Bëhet fjalë për bombardimin e katërt amerikan në më pak se një javë të grupit militant që sulmon anijet në Detin e Kuq. Por, deri më tani, nuk kanë frenuar aktivitetet që konsiderohen “pirate”. Rebelët Houthi përsëritën kërcënimin se do të vazhdojnë me sulmet kundër anijeve në Detin e Kuq, në solidaritet me palestinezët. Ky grupim ka marrë përsipër përgjegjësinë për shënjestrimin me raketa të një anije mallrash amerikane. Houthit pretendojnë se me anë të këtyre sulmeve do të detyrojnë botën që të ndalojë luftën e nisur nga Izraeli në Gaza.

Por, gjërat nuk po shkojnë në këtë drejtim. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka refuzuar propozimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për normalizimin e raporteve me Arabinë Saudite në këmbim të lejimit të krijimit të një shteti të Palestinës. Në të njëjtën linjë edhe Presidenti Isaac Herzog, që thotë se Tel Avivi ka humbur besimin në procesin e paqes. “Terrorizmi po glorifikohet nga fqinjët tanë”, u shpreh ai. Herzog bëri thirrje për krijimin e një koalicioni të fuqishëm kundër Iranit, shtet të cilin e akuzoi se po shpenzon miliarda dollarë në armë për të lëkundur stabilitetin e botës.

Ndërkohë, në Gaza lufta nuk ka ndalur. 19 persona kanë humbur jetën në kampin e refugjatëve palestinez Rafah për shkak të një sulmi të Izraelit. Shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë, sipas raportimit të Al Jazzera. Bombardimi ndodhi në një zonë të cilën izraelitët e kishin përcaktuar të sigurtë.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com