Pavarësisht paralajmërimeve nga OKB, SHBA dhe BE se pushtimi i Rafahut do të shkaktojë një katastrofë humanitare dhe mijëra viktima civile, Izraeli nuk e mendon tërheqjen nga ky inkursion ushtarak.
Imazhet e reja satelitore të publikuara nga mediat ndërkombëtare, tregojnë se Izraeli është duke ndërtuar një qytet të madh tendash, ku do të evakuojë mbi 1 milion palestinezë që janë strehuar në Rafah, qyteti i fundit i pa pushtuar në Rripin e Gazës.
Fotot nga kompania e imazheve satelitore Planet Labs tregojnë një grumbullim të theksuar tendash në një model uniform pranë Khan Younis, i cili është rrafshuar kryesisht gjatë pushtimit të përgjakshëm të Rripit të Gazës nga ushtria izraelite.
Fotot, të realizuara përgjatë tre ditëve, përkatësisht 18 deri më 21 prill, tregojnë strukturat e bardha që po ngrihen me shpejtësi.
Qyteti i tendave duket se është zgjidhja për Izraelin, që ka thënë disa herë se ka në plan të evakuojë civilët e zhvendosur nga Rafah përpara një operacioni ushtarak gjashtë-javor që ka të ngjarë të fillojë në maj.
Zyrtarët egjiptianë i thanë Wall Street Journal se javët e para do t’i kushtohen evakuimit të refugjatëve në Khan Younis dhe zona të tjera të pajisura me strehimore dhe objekte mjekësore.
Përgatitjet vijnë në një kohë kur SHBA pretendon se Hamasi po përgatitet për një luftë rajonale në shkallë të plotë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matt Miller tha se Hamasi po lëviz gurët në negociatat e pengjeve dhe armëpushimit, duke shtuar se grupi terrorist refuzoi një propozim shumë domethënës.
“Me siguri duket sikur Hamasi është më i interesuar për një luftë rajonale në shkallë të plotë. Duhen dy palë për të arritur një marrëveshje, dhe tani Hamasi ka sinjalizuar se ata nuk e duan atë”, tha Miller duke i kërkuar Hamasit të qëndrojë në tavolinë, pasi topi sipas amerikanëve është tani “në fushën e tyre”.
/a.r