Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg 20 ditë për Jetnor Zhabolin që “burgosi” familjen e tij.
Prokuroria kërkoi që 35-vjeçari të qëndronte në qeli për 30 ditë deri në daljen e rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore që do të përcaktojë gjendjen e shëndetit mendor për Zhabolin.
Në seancë avokati ka kërkuar shtrim të përkohshëm në spital deri në rezultatet e akt-ekspertizës. Ndërsa Jetnor Zhaboli ka pretenduar se gjithçka e ka bërë për të mbrojtur fëmijët, pasi siç u shpreh, kishte frikë për ta.
35-vjeçari akuzohet për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes, pasi prej më shumë se 1 viti mbante mbyllur në banesë familjen.
Zhaboli kishte përshtatur banesën e tij në një burg për familjarët e tij, mes të cilëve nënën e tij, gruan dhe dy fëmijët 3 dhe 9 vjeç të cilët ishin të monitoruar gjatë gjithë kohës me kamera sigurie.
/a.r