Italia po qëndron në ballë të misionit për krijimin e shtetit të Palestinës, në një kohë kur konflikti në Lindjen e Mesme vijon të marrë jetë civilësh dhe kërcënimet për një luftë gjithëpërfshirëse vijnë nga Irani dhe Izraeli.
Ministri i Jashtëm dhe zv/kryeministri i Italisë, Antonio Tajani po përgatit projektin që do të prezantojë në Nju Jork në shtator në margjinat e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
“Unë do të propozoj në nivelin e G7 një projekt për rindërtimin jo vetëm humanitar, por politik dhe ekonomik të Gazës. Italia është e gatshme të dërgojë një kontingjent në punë, për periudhën e tranzicionit, i cili do të duhet të menaxhohet nga OKB dhe të drejtohet nga vendet arabe. Projekti konsiston në lindjen e një shteti palestinez, duke bashkuar Rripin dhe Bregun Perëndimor”, njofton Tajani në një intervistë për La Stampa.
Por për të krijuar shtetin e Palestinës nga Roma kanë një kusht të panegociueshëm. Tajani shprehet se plani i Italisë përfshinë vetëm negociata dhe më pas qeverisje nga PNA dhe jo Hamasi.
“Në do të negociojmë vetëm me PNA, jo Hamasin. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara na kanë kërkuar të përdorim karabinierët për të trajnuar një forcë adekuate të sigurisë palestineze. Pse atëherë të mos e njohim shtetin e Palestinës? Ne jemi në favor të shtetit të Palestinës. Por ne duhet t’i ofrojmë një perspektivë konkrete popullit palestinez. Si mund të njohim një shtet ndërkohë që ekziston Hamasi që kontrollon një pjesë të madhe të Palestinës dhe pretendon se dëshiron të shkatërrojë Izraelin? Ne Nuk duam t’i japim një shuplakë morale Izraelit tani, por duam t’i çojmë ata në një negociatë për të konkretizuar formulën ‘dy popuj, dy shtete’”, shprehet shefi i diplomacisë italiane.
Tajani ka folur edhe për një hakmarrje të mundshme iraniane kundër Izraelit pas vrasjes së liderit politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran.
“Teherani pretendon të drejtën për t’iu përgjigjur Izraelit. Unë paralajmërova Ali Bagheri Kani. Shumë gjëra janë në duart e Iranit, i cili duhet të vendosë nëse do të presë apo jo. Unë i sugjerova atij, të paktën, të mos merrte vendime para datës 15. Nëse ata sulmojnë së pari, marrëveshja do të dështonte dhe do të kishte rrezik për kaos. Për mendimin tim, armëpushimi do të minonte arsyet e sulmit, nëse është e vërtetë që iranianët janë të interesuar për Gazën dhe do të fillonte një politikë e re dinamike në Lindjen e Mesme.”
/a.r