Shteti Islamik, ISIS, që mori përsipër sulmin terrorist në një koncert të Moskës, ka publikuar video të ngjarjes ku u vranë 133 persona. Pamjet filmike që tregojnë kaosin dhe sulmin, janë xhiruar nga vetë terroristët brenda sallës dhe janë publikuar në llogaritë e ISIS në rrjetet sociale.
Pavarësisht këtij fakti, as autoritetet ruse dhe as vetë presidenti Vladimir Putin nuk kanë akuzuar Shtetin Islamik për sulmin, por po drejtojnë gishtin nga Perëndimi dhe Ukraina.
Nënkryetari i këshillit të sigurisë në Rusi, Dmitry Medvedev, kërcënoi duke thënë se shteti do të hakmerret për të gjitha viktimat që u vranë në koncert.
“Kushdo i përfshirë, pavarësisht nga vendi i origjinës dhe statusi, është tani e tutje objektivi ynë ligjor dhe kryesor”, paralajmëron ai.
Mesazhi vjen në ditën e zisë kombëtare të vendosur në Rusi për njerëzit e vrarë në sulmin terrorist.
Shtetet e Bashkuara kanë reaguar duke hedhur poshtë çdo pretendim për një përfshirje të Uashingtonit apo të Ukrainës në këtë ngjarje tronditëse.
Por zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, e konsideron këtë deklaratë “një provë kundër Ukrainës”, duke sinjalizuar se Moska e bën Kievin përgjegjës.
Presidenti Putin ka paralajmëruar një takim me anëtarët e Këshillit të Sigurimit, ku do të merren vendime për kundërpërgjigjen e Rusisë ndaj sulmit.
/a.r