Kongresi i Partisë Socialiste, i cili ishte planifikuar të zhvillohej më 4 dhjetor, do të shtyhet edhe për disa ditë të tjera. Më herët ishte lajmëruar shtyrja, por pa u bërë e ditur një datë fikse, ndërsa deputetja e PS, Ermonela Felaj, ka bërë me dije se do të zhvillohet më 8 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve.
Mësohet se i shtyrjes është bërë fakti se grupit parlamentar ishte angazhuar për shqyrtimin e buxhetit të ri të vitit 2024.
Kongresi do të fokusohet në dy elemente, së pari në fjalimin e kryesocialistit Edi Rama, për sa i përket projektit ‘Shqipëria 2030’ dhe elementi i dytë do të jetë projekti i sekretarit të përgjithshëm Blendi Klosi për riorganizimin e PS, që ka në fokus zgjedhjet e 2025-ës.
E pyetur në Klan News nga gazetarja Mirela Milori, nëse do ketë lëvizje apo zhvillime të rëndësishme në Kongres, duke pasur parasysh arrestimet në kampin e majtë, Felaj tha se kush ka frikë nga ligji nuk bie në gabime të tilla.
“Nuk di pse duhet të ndryshojë diçka në Partinë Socialiste për shkak që anëtarë të Partisë Socialiste, apo simpatizantë, apo kushdo qoftë ka të bëjë në një moment të caktuar me prokurorinë dhe gjykatën. Unë dua të përsëris që ne kemi qenë të qartë për të gjitha komplikimet që mund të sillte reforma e drejtësisë sepse duke qenë se jemi ne në pushtet që në vitin 2013 është e qartë që kompetenca e prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme që u krijua për shkak të reformës në drejtësi është një kompetencë që shtrihet tek funksionarë dhe zyrtarë të partisë në pushtet. Nga momenti që ne pranuam që për interesat e vendit ishte e rëndësishme reforma në drejtësi ishim të vetëdijshëm për çfarë na priste dhe besoj që ajo i paraprin çdokujt është frika nga ligji në punën e vet. Nëse ke frikë nga ligji në punë është e qartë që ke pak gjasa të biesh në gabime të tilla që të çojnë para prokurorisë dhe gjykatës. Besoj që kjo është ajo lloj sjellje që ne duhet të implimentojmë në atë që quhet strukturë qeverisëse e shtetit qoftë kjo qendrore apo lokale”, tha Felaj.