Shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë ndërhyrë në ndihmë të një familjeje që kishte mbetur e bllokuar në rrugën që çon në malin e Tomorit, pasi automjeti me të cilin po udhëtonin nuk mund të vazhdonte lëvizjen për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Gjatë patrullimit në aksin rrugor Poliçan-Mali i Tomorit, shërbimet e Qarkullimit Rrugor konstatuan një automjet të ndaluar me pesë shtetas brenda, përfshirë dy fëmijë. Familja nga Berati, kishte udhëtuar drejt malit të Tomorit, por gjatë kthimit, automjeti kishte xhiruar për shkak të borës dhe kishte pësuar dëmtime në goma, duke e bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit.
Shërbimi i Qarkullimit Rrugor transportoi familjen me automjetin e tyre deri në banesë, duke siguruar kështu rikthimin e sigurt.
Ata apelojnë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që kanë në plan të udhëtojnë drejt malit të Tomorit, të përdorin zinxhira dhe goma dimërore, të moderuojnë shpejtësinë, të shmangin parakalimet e gabuara dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Ndërkohë, borëpastrueset vazhdojnë punën në këtë aks rrugor për të pastruar rrugët dhe siguruar kalueshmërinë.