Ish-presidenti Topi në krah të Bashës: Marrëveshja e 2008 Rama-Berisha, prishi balancat institucionale

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, organizoi sot tryezën e dialogut, “Harku Opozitar Euro-Atlantik”. Ku i ftuar ishte dhe ish-presidenti Bamir Topi. Krah Bashës, Topi tha se nuk është pjesë e asnjë partie politike, por është dëshmitar se si u rrënuan themelet e shtetit kur ai ishte president në 2008.

“E pranova me kënaqësi ftesën e Bashës. Dua të sqaroj statutin tim në këtë tryeze, nuk jam pjesë e partive politike. Por për këtë çështje kam pasur rastin të njoh aktorët, protagonistët, e rrënimit të themeleve të shtetit nga pozicioni i kreut të shtetit në 2008. Është detyrim qytetar, intelektual, pasi zgjedhjet vërtetë realizohen si konkurrencë mes partive politike, por ata që janë burim i demokracisë janë njerëzit.

Një zë i lirë individual është i rëndësishëm. Prilli i 2008 erdhi shumë shpejt, pas një ngjarje tragjike, e kam fjalën për shpërthimin e Gërdecit. Kujtoj mirë një kryeministër në hall, një mazhorancë në hall, për përgjegjësinë dhe uljen e kredibilitetit si në mjedisin politik edhe në atë ndërkombëtar. Papritur vijën komunikime të nëndheshme të një marrëveshjeje të errët dhe okulte që paralajmëronte një shpërthim tjetër, atë të themeleve të shtetit, që parashikohej në Kushtetutë.

Pa komunikimeve pashë që ishte një mur i lartë i ndërtuar nga njeriu në hall dhe nga tjetri që aspironte të ndërtonte pushtetin e tij të ardhshëm mbi dramën që po konsumohej. Paralajmërimin e parë e bëra më 15 prill 2008 duke thënë çdo të ndodhte pas atij ndryshimi. Ftoj të gjithë politikanët t’i rikthehen marrëveshjes, e cila është komplekse dhe shumëdimensionale. Dobësoi rolin e presidentit dhe prishi balancat institucionale.

Sot kemi partitë politike të protagonistëve që sot konsiderohen si kazerma. Listat e deputetëve vijnë me firmën e kryetarit, kuvendi uli ndjeshëm cilësinë e tij në përfaqësim dhe rolin e tij. Ka rënë në thundrën e kryeministrit”, tha ai.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com