Në Gjykatën e Posaçme ka nisur procesi gjyqësor ndaj deputetit demokrat Gazment Bardhi, i cili është paditur nga ish-drejtori i Policisë Shkodër, Edmond Sulaj, për “Shpifje, kryer botërisht” dhe “Fyerje, kryer botërisht”. Kallëzimi i Sulajt erdhi pas një deklarate të Bardhit në Kuvend, ku e akuzonte se u emërua drejtor policie në Shkodër nga bandat.
Në seancë është i pranishëm Edmond Sulaj, ndërkohë që mungon kreu i grupit parlamentar, Gazmend Bardhi. Ai përfaqësohet në këtë proces nga dy avokatët, Marash Logu dhe Ledio Braho.
Mbrojtja ligjore e Sulës u shpreh në seancë se më datë 12.09.2024, Gazmend Bardhi, gjatë fjalës së tij në interpelancë, në një moment të fjalimit, duke iu referuar disa materialeve nga organi i SPAK, ka deklaruar se Edmond Sulaj është një person i emëruar nga grupet e strukturuara kriminale dhe i shërben këtyre grupeve.
“Ky fjalim është transmetuar botërisht dhe u përhap në shumë media të shkruara dhe vizive, në të gjithë vendin dhe jashtë tij. Përhapja e këtij lajmi u realizua me dashje. Kjo akuzë është e pavërtetë dhe mbështetemi në prova,” u shpreh mbrojtja e Sulës.
“I akuzuari ka mohuar se njeh personalisht Edmond Sulën dhe në deklaratë duket se ai ka mbajtur një fjalim për kundërshtarët e tij. Ky material, apo fakt i përhapur nga Bardhi, ka shkaktuar dëme ndaj z. Sulaj. Edmond Sulaj ka një karrierë prej 28 vitesh, ku ka mbajtur funksione të ndryshme. Deklarata e bërë nga Gazmend Bardhi ka njollosur rëndë karrierën e Sulës. Dy vajzat e Sulës, pas deklaratës së Bardhit, kanë pësuar ofendime të shumta në rrjetet sociale dhe në ambientet ku punojnë dhe studiojnë. Bisedat i përkasin periudhës 2019-2020, tre vite përpara se të emërohej në detyrë Edmond Sulaj. Në këto kushte, kërkojmë që Bardhi të dënohet për këtë vepër.”
I pranishëm në seancë, Sulaj tha se shumë shpejt do të dalë e vërteta se kush është ‘Mondi’ për të cilin flitet në ato komunikime.
“Duke qenë se çështja për të cilën i është referuar Gazmend Bardhi, dua të saktësoj që unë jam pyetur në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me këto fakte dhe shumë shpejt do të dalë e vërteta se kush është ‘Mondi’ për të cilin flitet në ato komunikime. Unë e kam deklaruar edhe në seancën e parë që jam emëruar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm dhe jo me urdhër ministri. Jam krenar për atë që kam bërë me stafin që punon atje. Del qartë se çfarë është arritur për 1 vit e 1 muaj që unë kam qëndruar në Shkodër.”
Bardhi nuk ishte i pranishëm në seancë, por avokati i tij Marash Logu duket se u tërhoq nga akuzat, duke thënë se Bardhi nuk ka deklaruar se Sulaj ka marrëdhënie apo njohje personale me personat nën hetim, por ka theksuar se krimi i organizuar është i lidhur me Policinë e Shtetit.
“Në dosjen Metamorfoza, gjatë një komunikimi mes Pëllumb Gjokës dhe Ardit Hasanbegajt, diskutohet për emrin e Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla. Ky dhe Bledar Çuçi përfliteshin si pasues të Sandër Lleshajt. ‘Mua Mondi më duhet një dimër aty, vëlla,’ flitet mes këtyre dy personave. Në kuadër të këtij procesi, kemi sjellë edhe një provë që vjen nga mediat e shkruara, sa i përket komunikimeve në Sky, etj. Pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt, u emërua Bledar Çuçi. Më pas, mori detyrën Taulant Balla. Në 15 korrik 2023, emërimi i Taulant Ballës u pasua me emërimin e Edmond Sulës. Përputheshin të dhënat dhe mbi këtë bazë ngrihen dyshime se kishte ndikim nga biznesmeni Pëllumb Gjoka, mik i ministrit Taulant Balla, dhe nga Ardit Hasanbegaj.
Është e qartë që nuk kemi të bëjmë me një përpjekje të Gazmend Bardhit për dezinformim. Ashtu si z. Bardhi, edhe deputetët e tjerë kanë detyrën të ngrenë zërin mbi shqetësimet apo denoncimet që u vijnë. Bardhi nuk ka deklaruar se Sulaj ka marrëdhënie apo njohje personale me personat nën hetim, por ka theksuar se krimi i organizuar është i lidhur me Policinë e Shtetit.
Gazmend Bardhi nuk ka kryer vlerat penale të shpifjes dhe fyerjes, ndaj kërkojmë rrëzimin e kërkesës për ta dënuar atë dhe deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit.
Prokurori Bledar Maksuti: Përmendet disa herë avokat dokumente zyrtare. Kujt i referoheni konkretisht? Cilat janë dokumentet?
Marash Logu: Bazohemi në bazë të informacioneve që na kanë ardhur në mënyrë elektronike. Ishin te gjitha elementet që na bënë të mendonin se ishin dokumente zyrtare. I përkisnin procedimit nr9 të vitit 2023, e njohur në publik si dosja “Metamorfoza”.
Seanca e radhës u caktua më 21 janar ora 12:00.
Akuzat në drejtim të Sulajt u hodhën nga Gazment Bardhi në seancën plenare të 12 shtatorit 2024, kur kreu i grupit të PD po zhvillonte një interpelancë me kryeministrin Rama për mbetjet e dyshuara toksike. Bardhi lexoi disa kodet të SkyECC dhe akuzoi se kreun e policisë në Shkodër e zgjodhën bandat në tetor 2023.