Në intepelancën për çështjen e anijeve me mbetje toksike të kërkuar nga Partia Demokratike, kryeministri Edi Rama u kujdes tí përgjigjej edhe akuzave të kreut të Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.
Me ironi shefi i qeverisë tha se fjalimi i Bardhit i nxori mallin e ish-kryetarit të tij në PD, Lulzim Basha.
“Mua më doli malli i të shkretit Lul. Tutorit të mëparshëm të këtij figurës që foli dhe besoj që të gjithë ata që e ndoqën e panë se ku është dallimi i madhe mes nesh që flasim me fakte dhe këtyre që s’dinë ça flasin”, tha Rama.
Duke i sqaruar edhe njëherë se mallrat e transportuara me kontejnerë drejt Tajlandës dhe Kinës, të nisura nga porti i Durrësit, nuk janë të rrezikshme, Rama e ironizoi Bardhin edhe për vendimin e tij për t’iu bashkuar Rithemelimit.
“Thashë në fillim, përgjatë dhe në fund se këto mallra me këto emra nuk kategorizohen te mbetjet e rrezikshme. E dëgjuat reagimin e reaguesit, të gjetur në konfuzionin e ekspertizës së tij, sepse unë ekspert nuk jam dhe për këtë mësoj duke ulur kokën të lexoj. Kurse zotëria e pret ekspertizën me gojën hapur dhe kokën lartë, i futet ekspertiza në gojë nga lart, e rrotullon nëpër gojë ekspertizën gjërë e gjatë dhe vjen ta pështyjë këtu. Se flet zotëria se kush jam unë dhe kush është zotëria për fjalët që kemi thënë. Por nëse unë nuk gaboj është zotëria që tha: ‘Po erdhi Saliu me Flamurin në godinë unë do iki nga politika’”, tha Rama.
Mungesa e konsistencës së fjalëve të Bardhit dhe zgjedhja për të mbetur në PD e drejtuar nga Sali Berisha e për t’iu bashkuar protestave për lirimin e tij te rruga “Mustafa Matohiti”, sipas shefit të qeverisë është një problem i madh.
“Nuk iku nga politika, iku nga godina bashkë me Flamurin për të mbajtur kokën lartë dhe për të parë Saliun. Është problem i madh, shumë problem i madh. Dhe problemin më të madh këtu e ka ai që është atje në katin e 8, që nuk ngeli balerin pa i shkuar te parvazi duke i thënë ma lër mua ta tund belin për ty.”
/a.r