Të dielën, Garda Revolucionare Islamike e Iranit nisi goditjen ushtarake me raketa balistike dhe dronë ndaj territorit izraelit. Duke iu përgjigjur pyetjes së medias për këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës u shpreh se Kina i kushton shumë vëmendje përshkallëzimit të situatës dhe u bën thirrje palëve përkatëse të ruajnë gjakftohtësinë për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës së nderë.
“Përshkallëzimi i situatës tregon se konflikti i Gazës është zgjeruar. Tani detyra e parë është zbatimi i rezolutës Nr.2728 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të zbutur sa më parë konfliktin në Gazë. Kina i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht vendeve me ndikim, të luajnë një rol konstruktiv për mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal.” – tha zëdhënësi.
Sipas njoftimeve, zëdhënësi i Trupave Mbrojtëse të Izraelit Daniel Hagari u shpreh të dielën se nga 13 prilli në mbrëmje deri më 14 prill, Irani lëshoi rreth 300 raketa e dronë kundër Izraelit dhe 99% prej tyre u bllokuan nga sistemi i mbrojtjes ajrore.
Sipas njoftimeve të medias izraelite, gjatë bisedës telefonike të bërë të dielën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, presidenti amerikan Joe Biden u shpreh se ShBA-ja kundërshton kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Iranit dhe nuk do të marrë pjesë në ndonjë sulm të mundshëm.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres lëshoi një deklaratë përmes zëdhënësit, ku dënon sulmin masiv të Iranit ndaj Izraelit dhe fton të dy vendet që të ndalojnë menjëherë veprimet armiqësore shkruan CMG.